Sot vendimi i Kolegjit per Kukësin: LSI ka gjetur dhjetë herë më shumë vota se sa i duhen për mandatin
Kolegji Zgjedhor pritet te jape sot vendimin për çështjen e Kukësit, pasi dje ekspertët nuk kishin përgatitur numrin e nevojshëm të fotokopjeve të aktit të ekspertimit të pamjeve filmike.
Në mbledhjen e parafundit të gjykatës u vendos që një ekspert i PD-së dhe një i LSI-së të analizonin videon e numërimit të votave në KZAZ-në 9, që i përket Tropojës, ku LSI-ja pretendon se koalicionit të PD-së i janë shtuar 155 vota, të cilat i kanë dhënë kësaj partie mandatin e tretë.
Në aktin e ekspertimit të ekspertit të LSI-së Ardian Pollo thuhet se pamjet që përmbajnë regjistrimit filmike janë relativisht të qarta, të dukshme dhe koha e shfaqjes së tyre në monitor është rreth 3 sekonda. Me teknikën dhe mjetet që u përdorën në ekzaminimin e tyre shikohen qartë shenjat në fletët e votimit. Sipas tij, pamjet filmike tregojnë qartësisht numrin e qendrës së votimit që po numërohet. Nga ana tjetër, eksperti i PD-së, Zamir Hoxha, thotë se gjatë procesit të numërimit herë pas here cilësia e videos ka qenë e dobët dhe në disa raste nuk kuptohet se cila qendër votimi po numërohet.
