E Diel, 1 Nëntor 2026

Erjon Vishkulli flet nga spitali: Ende e kam plumbin në sy

Një goditje, dy hapa dhe më pas rrëzimi në tokë. Kështu e përshkruan Erjon Vishkulli momentin kur u plagos në syrin e majtë nga një plumb gome gjatë protestës së opozitës në Tiranë.

Në një dëshmi ekskluzive për gazetarin e Top Channel, Endi Tufa, Vishkulli rrëfen momentet para plagosjes, dhimbjet që po përjeton dhe pasigurinë për shikimin. Plumbi i gomës ndodhet ende në syrin e tij të majtë, ndërsa shpresa për shpëtimin e syrit është te trajtimi i specializuar mjekësor.

“Shkova të takoja shokët dhe do të ikja. Kisha hequr maskën e oksigjenit dhe në atë moment takova një shok gazetar. I kisha diku 30 metra larg policët, pa asnjë reagim, pa asgjë. Vetëm kur më vjen një goditje, eca rreth dy metra dhe rashë në tokë”, tha ai.

Ngjarja ndodhi brenda pak sekondash. Erjoni tregon se pas goditjes ishte vetëm pjesërisht i vetëdijshëm dhe se kujtimet për momentet pas plagosjes janë të pakta. Ai mban mend vetëm ndihmën e një shoku, i cili e transportoi me makinë drejt spitalit.

“Isha pak i vetëdijshëm, ndërkohë që një shok më shoqëroi me makinë. Kaq mbaj mend pastaj”, u shpreh ai.

Plumbi i gomës ndodhet ende në syrin e majtë të të riut, ndërsa dhimbjet dhe rreziku për shikimin mbeten shqetësimi kryesor. Erjoni thotë se ende nuk e di se çfarë pasojash do të ketë plagosja, por pranon se gjendja është e vështirë.

“Vazhdoj ta kem ende plumbin e gomës në sy. Nuk e di tani të them se sa i lartë është rreziku, por e lehtë nuk është, sepse kam shumë dhimbje”, u shpreh ai për Top Channel.

Sponsorizuar

Pas kontakteve të Top Channel me stafin e spitalit dhe të afërmit e Erjonit, është siguruar transporti i tij drejt një spitali në Romë, ku pritet të niset pasditen e sotme për të marrë trajtim më të specializuar mjekësor.

Mes dhimbjes dhe pasigurisë për të ardhmen e shikimit, Erjoni e mbyll dëshminë me dy fjalë, të cilat për të marrin një kuptim të veçantë pas asaj që ka përjetuar.

“Vetëm fitore”, thotë ai.

Endi Tufa: Çfarë do të thotë kjo?

“Shqipëria është e jona”, e mbyll ai intervistën. top-channel.tv

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›