E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama prezanton paketën antiprotestë, ndëshkime penale, financiare dhe sociale ndaj atyre që nuk duan qeverinë

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar paketën e re ligjore kundër dhunës dhe asaj që e cilëson si “anarki urbane”, të hartuar, sipas tij, në bashkëpunim me ekspertë europianë dhe partnerë italianë e francezë. Paketa përbëhet nga gjashtë instrumente ligjore, me parimin kryesor që kush shkakton dëme duhet të paguajë për to.

Duke komentuar protestën e së shtunës në Tiranë, Rama akuzoi Partinë Demokratike se kishte dalë në krye të dhunës, ndërsa pretendoi se selia e saj ishte përdorur si strehë politike dhe pikë furnizimi me lëndë plasëse për protestuesit. Ai paralajmëroi se qeveria do të vijojë përballjen me atë që e cilësoi si dhunë të organizuar, duke mbrojtur njëkohësisht të drejtën e qytetarëve për protesta paqësore.

Kryeministri akuzoi kundërshtarët politikë se po bashkëpunojnë me grupe ekstremiste dhe aktorë të huaj për të nxitur dhunën, ndërsa pretendoi se disa prej personave që marrin pjesë në protesta nuk përfaqësojnë studentët, por krimin e organizuar.

“Kjo paketë ligjore ka një bazë parimore shumë të qartë: Protesta paqësore mbrohet, dhuna ndëshkohet dhe dëmi paguhet nga shkaktari”, tha Rama, duke theksuar se masat janë hartuar, sipas tij, në përputhje me Kushtetutën, Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe standardet e institucioneve europiane.

Paketa parashikon kompensimin e bizneseve të dëmtuara, përgjegjësi financiare për personat që shkaktojnë dëme gjatë tubimeve, ndryshime në ligjin për tubimet, krijimin e një regjistri elektronik për personat e referuar ose nën hetim për vepra penale kundër shtetit dhe rendit publik, ndryshime në Kodin e Etikës së mësuesve dhe propozime për ndryshime në Kodin Penal.

Sipas Ramës, instrumenti i parë parashikon dëmshpërblimin e menjëhershëm të bizneseve të vogla që janë dëmtuar nga thyerjet, grabitjet dhe zjarret. Shteti do të mbulojë nga 100% të dëmeve materiale për bizneset më të vogla deri në minimumin 70% për bizneset më të mëdha, brenda fashës së subjekteve me xhiro vjetore deri në 140 mijë euro.

Kryeministri tha se bizneset që kanë dorëzuar dokumentacionin pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve nuk do të duhet të presin përfundimin e proceseve gjyqësore për të marrë kompensimin. Ndërkohë, personat që kanë shkaktuar dëmet do të paguajnë pjesën përkatëse të tyre, ndërsa për dëmet e shkaktuara nga të miturit, përgjegjësia financiare do t’u kalojë prindërve.

Instrumenti i dytë është një ligj i posaçëm për riparimin e dëmeve të shkaktuara gjatë tubimeve, sipas modelit francez “Kush thyen, paguan”. Sipas Ramës, ligji do të zbatohet për tubimet e njoftuara, të ndaluara ose spontane, përfshirë edhe grumbullimet sportive, kulturore dhe festive.

Ai theksoi se përgjegjësia nuk do të lindë vetëm nga pjesëmarrja në një protestë, por nga sjellja individuale e personit. Megjithatë, sipas propozimit, personat që qëndrojnë në një tubim të dhunshëm edhe pas paralajmërimeve të policisë, duke qenë në dijeni të akteve të dhunës dhe dëmtimit të pronës, mund të përballen me gjoba deri në 500 mijë lekë të reja. Gazetarët, mjekët, vëzhguesit, nëpunësit në detyrë dhe kalimtarët e rastësishëm parashikohen të përjashtohen nga ky rregull.

Instrumenti i tretë përfshin ndryshime në ligjin “Për tubimet”, të cilat synojnë, sipas qeverisë, zgjerimin e kompetencave parandaluese dhe reaguese të policisë. Ndër masat e propozuara është kufizimi i tubimeve deri në 72 orë në perimetra të caktuar rreth institucioneve arsimore, shëndetësore dhe shtetërore, objekteve të kultit dhe monumenteve të trashëgimisë kulturore, kur ekziston rrezik real dhe i afërt për dhunë.

Ndryshimet parashikojnë gjithashtu masa ndaj thirrjeve për dhunë në rrjetet sociale, përfshirë njoftimin për fshirjen e postimeve që nxisin akte të tilla dhe ndjekjen ligjore në rastet e parashikuara. Rama njoftoi se fshehja e identitetit gjatë tubimeve do të përfshihet si vepër penale në Kodin Penal, duke ndjekur, sipas tij, modelin francez.

Në këtë kuadër, ai bëri të ditur se parashikohen gjoba nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë të reja për pjesëmarrjen në tubime pa leje dhe mosbindjen ndaj thirrjeve për largim, deri në 500 mijë lekë për mosbindjen ndaj urdhrit për shpërndarje dhe fshehjen e identitetit, si dhe 5 mijë lekë për çdo pjesëmarrës që bllokon qarkullimin. Këto janë masa të propozuara në paketën e prezantuar nga kryeministri.

Instrumenti i katërt është krijimi i një Regjistri të Posaçëm Elektronik për personat e referuar ose nën hetim për vepra penale kundër shtetit, rendit dhe sigurisë publike. Regjistri do të administrohet nga Policia e Shtetit dhe do të përmbajë të dhënat e identifikimit të personave të përfshirë.

Sipas Ramës, në bazë të këtij regjistri, Policia Kufitare dhe e Migracionit do të mund të zbatojë dispozitat ligjore për refuzimin e daljes nga vendi të personave që synojnë t’i shmangen ndjekjes penale, ndalimit, arrestimit ose ekzekutimit të dënimit me burg. Ai përmendi gjithashtu njoftimin e autoriteteve të huaja, strukturave akomoduese dhe kompanive të transportit për rrezikun që mund të paraqesin personat për rendin dhe sigurinë publike.

Kryeministri pretendoi se në protestën e së shtunës kishin ardhur edhe persona nga Spanja, të cilët i cilësoi si “mercenarë të paguar për të ushtruar dhunë”. Këto akuza u paraqitën nga Rama gjatë deklaratës së tij.

Sponsorizuar

Instrumenti i pestë lidhet me ndryshimin e Kodit të Etikës për mësuesit e arsimit parauniversitar. Sipas propozimit, mësuesit nuk do të mund të përdorin autoritetin e tyre profesional për të nxitur, organizuar ose koordinuar pjesëmarrjen e nxënësve nën 18 vjeç në tubime, në kundërshtim me interesin e fëmijëve dhe pritshmëritë e prindërve.

Shkeljet e këtij parimi mund të sjellin pezullimin ose largimin nga detyra të mësuesve. Rama sqaroi se masa, sipas tij, nuk cenon të drejtën e mësuesve për t’u shprehur apo për të protestuar vetë, por synon të ndalojë përdorimin e marrëdhënies mësues-nxënës për të përfshirë fëmijët në tubime për motive të të rriturve.

Instrumenti i gjashtë përfshin një sërë ndryshimesh të propozuara në Kodin Penal, që sipas kryeministrit janë mbështetur në praktikat e Francës dhe Italisë dhe në jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Ndryshimet parashikojnë ndëshkime më të ashpra për dhunën gjatë tubimeve, shkatërrimin e pronës, mbajtjen e maskave në kushtet e dhunës ose rrezikut konkret për dhunë dhe nxitjen publike të akteve të dhunshme, përfshirë përmes rrjeteve sociale. Sipas Ramës, mbajtja e armëve ose sendeve të rrezikshme gjatë tubimeve mund të dënohet deri në dy vjet burg, ndërsa fshehja e fytyrës në rrethana të caktuara mund të ndëshkohet me gjobë ose deri në gjashtë muaj burg.

Paketa përfshin gjithashtu masa kundër kanosjes dhe përndjekjes, përfshirë ato në internet, publikimit të të dhënave personale me qëllim ekspozimin e dikujt ndaj sulmeve dhe shpërndarjes së videove të falsifikuara me inteligjencë artificiale, kur plotësohen kushtet e parashikuara në propozim. Në të njëjtën kohë, sipas kryeministrit, satira, parodia, kritika politike, gazetaria dhe protesta paqësore do të përjashtohen nga ndëshkimi.

Ndryshimet parashikojnë edhe mbrojtje më të fortë ndaj kanosjes së deputetëve, funksionarëve dhe personave publikë, si dhe ndëshkimin e presionit, shantazhit apo dhunës që synon të ndikojë në votat e deputetëve ose vendimmarrjen e funksionarëve publikë. Rama theksoi se kritika politike, protestat dhe peticionet nuk do të përfshihen në këto parashikime.

Një tjetër pjesë e paketës lidhet me mbrojtjen e fëmijëve. Sipas propozimit, prindërit, kujdestarët, mësuesit ose edukatorët mund të mbajnë përgjegjësi në rastet kur lënë fëmijët nën 14 vjeç pa mbikëqyrje dhe i ekspozojnë ndaj rrezikut real për jetën ose shëndetin. Kryeministri tha se dënimet do të shkallëzohen sipas pasojave dhe mund të arrijnë deri në 10 vjet burg në rastet kur fëmija humb jetën.

Në përfundim të deklaratës, Rama mbrojti paketën, duke këmbëngulur se ajo nuk synon të kufizojë lirinë e protestës, por të ndëshkojë dhunën dhe dëmtimin e pronës publike e private.

“Kush nuk e do qeverinë apo do largimin tim nga detyra jo sot, po dje, është në lirinë e të drejtën e tij që ta mendojë, ta thotë, ta propagandojë e ta kthejë në protestë këtë kërkesë të tij”, deklaroi Rama.

Ai tha se është i gatshëm të dëgjojë edhe qytetarët që kërkojnë dorëheqjen e tij, por paralajmëroi se shteti do të ndërhyjë ndaj kujtdo që, sipas tij, përdor dhunën për të cenuar pronën dhe sigurinë publike.

Rama njoftoi gjithashtu se në ditët e para të javës do të prezantojë risitë e projektbuxhetit të vitit 2027, duke premtuar masa konkrete për familjet, shërbimet publike, të rinjtë dhe studentët.

“Është përpjekja e tyre e fundit, përpara se sa ne të vulosim faqen e fundit të historisë së anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Zhurmën e kanë të madhe, shanset i kanë zero”, përfundoi kryeministri.a.b

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›