Erla Mëhilli: Isaraji tentoi të më aksidentonte, Isaraj: Erla paska fantazi të shfrenuar
Fushata elektorale ka regjistruar dje incidentin e radhës. Zëdhënësja e kryeministrit, Erla Mëhilli në rrjetin social Facebook, shkruan se gjatë udhëtimit të zyrës së shtypit të kryeministrisë për në Fier një makinë e cila drejtohej nga deputetit i PS-së, Arben Isaraj është afruar dhe ka tentuar të nxjerrë jashtë rruge makinë në të cilën ajo po udhëtonte. Rrugës për në Fier, në autostradë, një makinë, me vetëdije të plotë, pasi na u afrua dhe pa kush ishte në makinën tonë, tentoi të na nxirrte nga rruga makinën ku udhëtoj unë dhe zyra e shtypit. Policia e ndalon në dalje të Fierit dhe kush ishte? Deputeti i Partisë Socialiste Arben Isarai, shkruan Mëhilli. Por i menjëhershëm ishte reagimi i deputetit socialist. Në rrjetin social Facebook, Isaraj duke ju drejtuar Mëhillit shkruan se nuk mbulohet paniku me gjethe fiku. Në vijim, deputeti i PS-së bën edhe sqarimin e vet për ngjarjen e ndodhur, Shpifjet dhe paniku po shoqërojnë të gjithë fushatën elektorale të qeverisë që po ikën. Zëdhënësja e Kryeministrit ka shpikur sot (dje) një skenar haluçinant aksidenti, sipas të cilit, unë i jam vënë pas në rolin e kamikazit, për ta asgjësuar fizikisht dhe për të rrëmbyer fjalimin e Roskovecit. Sindroma e shefit të blinduar duket se ka prekur edhe çupëzën me fantazi të shfrenuar. Sinjali majtas, është sinjali i parakalimit. Sinjali djathtas, është sinjali i hapjes së krahut dhe uljes së shpejtësisë. Zoti ju ruajtë e ju shpëtoftë nga sindroma e parakalimit të shpejtë politik, shkruan deputeti socialist, Arben Isaraj.