Berisha-Ramës: NATO sjell liri kombëtare, rruga është punësim
Kryeministri u përgjigjet deklaratave të Ramës për rrugët dhe NATO-n
Kryeministri Sali Berisha u është përgjigjur deklaratave të bëra nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama për sa i përket anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Nga Roskoveci, ku prezantoi kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike, kryeministri Berisha tha se anëtarësimi i vendit në NATO është një liri kombëtare.
NATO
Ju jeni dëshmitarë që para tre ditësh u deklaroi shqiptarëve se NATO-ja është natë. Dua ti them këtij zotërie se NATO-ja është liri kombëtare e garantuar përjetësisht, është prestigj i madh për shqiptarët, siguri madhore e tyre, është vende pune, mirëqenie, është e ardhmja. Në kohën kur do merrnim vizat, bënin gjithçka me protesta për të bllokuar heqjen e vizave. I mbajti peng 3 ligjet, të cilat në fund u detyrua ti votojë, tha kryeministri Berisha.
Rrugët
Ndërsa duke ju referuar akuzave të opozitës për sa i përket ndërtimit të rrugëve në vend, kreu i qeverisë tha se ndërtimi i tyre rrit punësimin. Unë i them zotërisë që ti s`ke arritur të kuptosh se rruga është punësim. Sepse ne në ndërtimin e rrugëve kemi punësuar shqiptarët. Pasi aty ku shkon rruga, aty shkon shpresa. Sepse ndërtuan rrugë, u ngritën biznese. Unë i them shokut të autobusit, dil nga autobusi që ta kuptosh që pa rrugë të mira nuk ka shërbim shëndetësor të mirë, u shpreh kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë, sulmoi opozitën edhe për propozimin e saj për heqjen e TVSH-së për pesë produkte bujqësore. Shoku në autobus premton se do heqë TVSH-në për 5 produkte bujqësore. Kjo është falimentim i fermave tuaja, kjo do të thotë që mishi i Brazilit, që prodhohet me një kosto shumë të lirë dhe me çmimet pa TVSH, do të eliminojë interesat tuaja për të rritur bagëtitë për mish. Kjo do të thotë që qumështi juaj të mos shitet për shkak të çmimit. Alternativa tjetër flet vetë. Padituria nuk është kurrë argument, deklaroi kryeministri Sali Berisha. Në vijim, kreu i qeverisë premtoi hapjen e 250 mijë vendeve të reja të punës gjatë katërvjeçarit të ardhshëm, si dhe rritje të subvencionimeve për fermerët.
SHKURTE NGA POLITIKA
Berisha: Do të bëjmë realitet
çdo projekt për fshatrat
Kryeministri Berisha inauguroi dje nisjen e punimeve për rikonstruksionin e rrugës QerretKarpen në komunën Golem të Kavajës. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë renditi disa prej arritjeve të ekzekutivit gjatë këtyre tetë viteve. Në këto vite kemi ndërtuar mbi 10 mijë km rrugë por kemi ende punë për të bërë dhe do të ndërtojmë të gjitha rrugët e vendit. Zotimi ynë është aty ku ju jetoni do keni infrastrukturë të njëjtë me lagjet e qyteteve. Këto vite ne së bashku ia dolëm të anëtarësohemi në NATO, ia dolëm të ndërtojmë një infrastrukturë moderne, ia dolëm të rrisim rrogat dhe pensionet, ia dolëm që turizmi të rritet 13-14 herë, ia dolëm sëbashku të financojmë 45 mijë projekte në fshatrat e Shqipërisë, tha kryeministri Berisha. Teksa i ftoi banorët të votojnë për Partinë Demokratike, kreu i qeverisë premtoi marrjen e statusit të vendit kandidat brenda mandatit të ardhshëm qeverisës. Kjo është rruga e zhvillimit ndaj dhe ne ju ftojmë, që më 23 qershor, të votoni së bashku 44, votoni PD për interesat tuaja më të rëndësishme, për zhvillimin fermave tuaja dhe zhvillimin e turizmit. Ju jap fjalën, se më këta kandidatë, do të shndërrojmë në realitet çdo projekt për fshatrat dhe komunat tuaja, u shpreh kryeministri Berisha.
Naço: Berisha do vijë me helikopter në Skrapar
Kandidati për deputetë i LSI-së në qarkun e Beratit, Nasip Naço akuzoi qeverinë se gjatë këtyre viteve nuk ka bërë asnjë investim në këtë qark. Duke ju referuar qytetit të Skraparit, Naço tha se qeveria nuk arriti të asfaltonte as tre kilometra rrugë. Berisha do të vijë me helikopter në Skrapar. Partia Demokratike tashmë është bërë si një traktor i vjetër që i del zinxhiri në çdo metër. Berisha nuk i mbaroi dot as tre kilometra rrugë në Skrapar gjatë tetë viteve qeverisje dhe tashmë ai do të vijë me helikopter në Skrapar. Po ta vini re Partia Demokratike është bërë tamam si një traktor i vjetër që i del zinxhiri në çdo metër, tha Naço. Duke u ndalur tek rezultati i zgjedhjeve, Nasip Naço tha se LSI do të jetë forcë e parë në qarkun e Beratit. Lëvizja Socialiste për Integrim po vjen si ortek më 23 qershor nga mali i Tomorit dhe ju premtoj se do të jetë forcë e parë politike në Qarkun e Berati, përfundoi Nasip Naço.
SHBA paralajmëron qytetarët e saj:
Kujdes nga zgjedhjet, mund të ketë dhunë
Ambasada amerikane në Tiranë nëpërmjet një deklarate u ka kërkuar qytetarëve amerikanë, rezidentë në vendin tonë që të shmangin tubimet elektorale pasi sipas ambasadës këto tubime mund të tejkalojnë në situata dhune. Tubimet pritet të rriten gjatë sezonit elektoral dhe kjo njihet si një pjesë normale e proceseve demokratike. Por qytetarët amerikanë duhet të qëndrojnë vigjilentë dhe të vetëdijshëm për sigurinë e tyre personale, duke evituar tubimet publike që kanë lidhje me zgjedhjet e 23 Qershorit, të evitojnë çdo lloj mitingu në Tiranë e kudo në vend.
Të gjitha tubimet dhe mitingjet elektorale kanë potencial të të pasur konfrontime dhe të tejkalojnë në dhunë, thuhet ndër të tjerash në njoftimin e ambasadës Amerikane. Në vijim, ambasada këshillon qytetarët që në çdo rast të njoftojnë ambasadën nisur nga shqetësimet që mund të kenë.
Topalli takime me emigrantët shqiptarë në Romë
Kryetarja e Kuvendit, njëherësh edhe nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli zhvilloi një takim me emigrantët shqiptarë në Romë. Ky takim u përshëndet edhe nga kryeministri Berisha me anë të një vidiokonference të shfaqur gjatë takimit. Të dashur bashkëkombëse dhe bashkëkombës të mi, në emigracion në Itali, miqësisht ftoj secilin prej jush për të ardhur në Shqipëri më 23 qershor, për të firmosur me votën e tij projektin e Shqipërisë së zhvilluar, projektin e Shqipërisë evropiane, u shpreh Kryeministri ne mesazhin e tij. Ndërsa Topalli në fjalën e saj renditi disa prej pikave kryesore të programit të PD-së për emigrantët. Programi ynë garanton 3-5 vjet pa asnjë taksë për çdo biznes, që emigrantët e kthyer, do të hapin për Shqipërinë e zhvilluar, tha Jozefina Topalli. I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kandidati për deputet i qarkut të Tiranës, Tritan Shehu.