E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ermal Hadribeaj dhe Nata e Kampionëve

Nata e kampionëve do të sjellë boksin profesionist të enjten në mbrëmje në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë. Një mbrëmje, e cila do të vijë drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, ndërsa kryendeshja do të jetë dueli i Ermal Hadribeajt me kongolezin Samuel Nsasi.

Kjo ndeshje është për titullin WBC International pjesë e së cilës është edhe Unioni i Boksit Shqiptar. E kjo që nga marsi 2022, atëherë kur u zyrtarizua gjithçka me firmën e hedhur në Tiranë. Hadribeaj numëron 15 fitore, katër prej të cilave me KO, dhe një humbje, ndërsa është 29 vjeç. Ai prej vitesh e ushtron sportin e boksit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa më parë ka qenë pjesë e MMA-së, apo arteve të miksuara marciale.

Do të jetë një ndeshje me 10 raunde nga tre minuta sikurse do të ndodhë dhe me duelet mes Amarildo Bakajt dhe boksierit nga Tanzania, Abdollah Paziuapazi, të cilët ndeshen për titullin vakant në WBC Silver International.

Dhe dueli i tretë me dhjetë raunde nga tre minuta, kjo për pozicionin vakant në WBC Youth World, do të jetë ai mes Muhamet Qamilit dhe Xhoe Kolea të Italisë. Para tyre do të jenë pesë sfida kryesisht me gjashtë raunde nga tre minuta, por të gjithë shqiptarët tanimë presin fitoren e Ermal Hadribeajt, “snajperit” të boksit shqiptar. Të mërkurën në ora 19:00 në ambientet e Hotel “Tirana-International” do të bëhet dhe peshimi, kurse të enjten boksi në shesh për të gjithë sportdashësit shqiptarë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›