E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Noti, medalje për të gjithë

Noti ka mbyllur ditën e tij të tretë në Kampionati Botëror të Sporteve Ujore në Fukuoka, ndërsa gjithçka është duke ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Një tjetër ditë pa rekorde të reja botërore, por mbi të gjitha pa medalje të arta për Kinën, që mbetet në shifrën e 17 të tillave.

Në 200 metra stil i lirë për meshkuj gjithçka është dominuar nga britaniku Riçards, që ka zënë vendin e parë me kohën 1’44”30. Pas tij, vetëm me dy të qindtat më larg se Riçards, britaniku tjetër Din, që ka merituar medaljen e argjendtë. E bronzta ka shkuar për Huang të Koresë së Jugut.

Ndërkohë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës e arta e radhës ka ardhur në 1500 metra stil i lirë për femra, atje ku Ledeski, me kohën 15’26”27, ka lënë nga pas Kuadarelën e Italisë dhe Li të Kinës.

Një artë për Australinë dhe kjo në 100 metra shpinë për femra, teksa Mekkeoun zë vendin e parë me 57”53, ndërsa lë nga pas amerikanet Smith dhe Berkof. Megjithatë e arta do të ishte përsëri për amerikanët me Mërfin në 100 metra shpinë për meshkuj, që doli fitues me kohën 52”22. Pas tij italiani Çekon dhe amerikani tjetër Armstrong.

E në fund Meluitite do të zinte vendin e parë në 100 metra bretkosë për femra me kohën 1’04”62. Shonmekër e Afrikës së Jugut dhe Xhakobi e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishin pas saj, ndërsa noti ka dhe pesë ditë gara për të mbyllur Botërorin e Sporteve Ujore në Fukuoka.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›