Erotika në filmin “Amnistia”
Një film i realizuar me ngjyrat e konjakut, ku konjaku nuk është thjesht pija por simbolizma e vetmisë… konjaku është arratisja nga dëshpërimi, dehja nga dashuria është miku më i mirë në ato momente ku njeriu ndien nevojën të humbasë, të dalë nga vetja e të harrojë. Premiera e filmit “Amnistia”, që u dha mbrëmë në kinema “Imperial”, i kishte të gjitha këto. Filmi ishte vërtet një copëz jetë nga Shqipëria, një ngjarje e thjeshtë, por e treguar shkurt, pastër, bukur, pa teprime, ku më shumë se fjalët flisnin karakteret dhe personazhet përmes lëvizjeve dhe veprimeve. Një film ku fjala dukej vërtet e tepërt, përpara shikimit vëngër të vjehrrit Remzi (ku luan Todi Llupi) karshi nuses Elsa (në rol Luli Bitri), që, sipas tij, hargaliset ndërkohë që ka burrin në burg, apo gëzimit të fshehur nën buzë të Elsës, kur rastësisht takohet me Shpëtimin (në rol Karafil Shena) korridoreve të burgut, ndërkohë që presin të takohen me bashkëshortët respektivë që vuajnë dënimin në burgun e Tiranës. Elsa udhëton nga Pogradeci në Tiranë çdo datë 5 të muajit, për të kryer ritualin e takimin intim me bashkëshortin. I njëjti ritual edhe për Shpëtimin. Ftohtësisë dhe zymtësisë që ata përjetojnë brenda dhomës speciale, përpiqen t’i japin ngjyra jete jashtë dyerve të burgut, në ato pak momente ku ata të dy janë bashkë. Skenat erotike në filmin e Alimanit janë një proces tjetër i zbërthimit të karaktereve, ashtu si simbolika e shishes së konjakut apo instrumentit të gajdes. Nëse doni të shihni një copëz të realitetit shqiptar, një realitet jashtë klisheve dhe bukurive false që ofron teknologjia, atë e gjeni te filmi “Amnistia” i Bujar Alimanit. Fundi i filmit ndoshta mund të mos ju pëlqejë, mund dhe ta “urreni” regjisorin për zgjedhjen e tij, por me siguri pasi të dilni nga salla do të kuptoni se pa atë finale filmi do të ishte thjesht një fiction, sepse realiteti është pikërisht ai, herë i zymtë e herë me kolorite shprese. Kështu është jeta, kështu është dhe filmi “Amnistia”. E regjisori Bujar Alimani përgjigjet dhe për këtë.
Pas gjithë atij realiteti të zymtë, spektatori pret ndoshta një fund të lumtur, por ju keni menduar një zgjidhje tjetër: vrasjen e dy dashnorëve, siç i shikon vrasësi, që në këtë rast është vjehrri i Elsës, që në film luhet nga Todi Llupi…
Gazetarët dhe publikun e ka munduar shumë kjo finale. Ndoshta publiku shqiptar nuk do ta dojë, ndoshta nuk do ta pëlqejë, ndoshta po të kishte një finale tjetër me fund të lumtur filmi mund të mos ishte ky që është. Por personazhi që e kryen këtë akt është një personazh që nuk ka më forca për ta mbajtur familjen e lidhur dhe zgjidhja e vetme i duket ai akt që bëri. Unë nuk do ta bëja këtë, as im atë jo, por gjyshi im do ta bënte me siguri. Po të shohësh ecurinë e këtij personazhi, është pikërisht ai që fal tradhtinë e nuses së tij, ndërkohë që ka burrin në burg 2-3 herë, por vjen një moment që nuk mundet më. Ai përpiqet me çdo kusht të mbajë familjen, por tashmë nuk mundet më.
Në film kemi Elsën, një nuse e re që përpiqet të rrisë dy djemtë e saj nën tutelën e vjehrrit, ndërkohë që burri vuan dënimin me 3 vjet burg për mashtrim. Elsa shfaqet si “mëkatare”, por nga ana tjetër kemi Majën, një vajzë e re që ka marrë arratinë nga shtëpia për hir të dashurisë dhe që i qëndron besnike asaj. Pse e sheh si protagoniste rolin e femrës në këtë film, regjisori Alimani?
Në Shqipëri personazhi femër në kinematografi është trajtuar pak, ose në rastin më të mirë është trajtuar jo mirë. Në ata filma ku femra ka qenë protagoniste, personazhi nuk i kalonte limitet. Mua më pëlqen shumë që të kalohet kufiri i limiteve në zbërthimin e një personazhi. Unë kam në dorë ndërkohë një tjetër skenar kinematografik ku protagoniste janë po dy femra shqiptare.
Në film marrëdhënia mes Elsës dhe Majës nënkuptohet si një marrëdhënie adhurimi, por që mbetet pa përgjigje...
Sigurisht ajo është një marrëdhënie shumë e ngrohtë, është pak virtuale për dikë që sheh filmin. Ndoshta perëndimoret e kanë marrë këtë marrëdhënie që krijohet mes dy femrave edhe si një shkuarje deri në limite të tjera, në një marrëdhënie krejt tjetër, por qëllimi im nuk ka qenë aspak ky. Në jetën time pa qenë gay kam adhuruar shumë meshkuj në kuptimin e karaktereve dhe profesionalizmit të tyre: si profesorë, pedagogë, kritike arti, regjisorë etj. etj. Në këtë kuptim edhe një femër mund të adhurojë një femër tjetër. Në këtë kuptim, Elsa adhuron Majën, sepse ajo ka fuqinë të arratiset nga shtëpia e saj, Maja ka fuqinë të thotë unë do iki dhe do ta pres bashkëshortin tim, ndërkohë që Elsa nuk e pret, por përkundrazi e tradhton atë. Maja është balanca tjetër e figurës femërore. Kështu është parë marrëdhënia mes tyre, sepse përndryshe unë do të isha një regjisor që promovon amoralitetin. Por ajo që unë dua t’i mëshoj është fakti se më intereson jashtëzakonisht shumë bota e femrës. Përpiqem sa më shumë të futem brenda saj. Por ajo që është me interesante është vetmia e femrës, që është jashtëzakonisht tërheqëse. Këtë aspekt e kam sjellë në dy plane të Elsës (Lulit) në film, ku ajo rri pranë dritares më vështrimin e humbur dhe nuk bën asgjë.
Por keni zgjedhur një mënyrë tjetër për Shpëtimin, që në rol e sjell aktori Karafil Shena, për të përballuar vetminë?
Në fakt, nuk ka slogane për këtë. Mënyra sesi njeriu zgjedh për ta përballuar vetminë. P.sh pa e ndjerë, një mashkull mendon se e përballon vetminë, duke gënjyer veten në këtë rast, duke pirë konjak ose duke biseduar me të tjerë për gjëra nga më të rëndomtat. Por vetmi ka dhe një profesor, dhe një doktor, madje, dhe një biznesmen që luan golf apo shëtit gjithë botën. Pra, vetmia nuk është një ekskluzivitet i shtresave të varfra sociale. Por çështja nuk është këtu. Unë kam gjetur një gjetje shumë origjinale të Karafilit për të përballuar vetminë: ai shikon filma pornografik, nuk masturbohet, nuk bën asgjë nga këto, por e thyen kohën si një njeri që ka një maskë me një shprehje akulli në fytyrë dhe nuk i lëviz asgjë. Ai pi cigare, pi konjak dhe sheh krejt i ftohtë filma pornografikë. Ndërsa lavatriçja që ai përpiqet të rregullojë është mekanizmi i femrës, i bllokuar në fund nga një çorape najloni. Është thjesht një simbol për të plotësuar panoramën e vetmisë mashkullore.
Në një farë mënyre personazhet jeni përpjekur t’i zbërtheni edhe përmes skenave të seksit, ku kemi aktin mes bashkëshortëve në takimet speciale në burg, që duket më tepër si një ritual që duhet bërë. Protagonistët janë krejt të ftohtë në këtë marrëdhënie, ata janë thjesht mekanikë në atë që bëjnë dhe ju këtë e keni sjellë tërësisht në film. Por në të njëjtën kohë kemi dashurinë e pastër që lind mes Elsës dhe Karafilit, një dashuri që në fakt nënkuptohet, pasi nuk shfaqet në ekran. Përse?
Është e vërtetë që duket sikur janë dhunuar shumë ato skena, si për të treguar se ai akt seksual nuk është thjesht e vetëm një detyrim mes bashkëshortësh, por thuajse një përdhunim. Siç e patë në skenat e burgut (që janë në tërësi skena erotike) bashkëshortët nuk shfaqen kurrë me fytyrë, si për të treguar se dhuna vjen nga dikush dhe diçka tjetër. Por nga ana tjetër, marrëdhënia e Elsës dhe Karafilit është aq platonike dhe aq e pastër, sa në skenën e vetme erotike mes të dyve, që zhvillohet te pianoja, jepet si finalizim i kësaj marrëdhënieje vetëm imazhi i një shisheje konjaku që derdhet, që mund të nënkuptohet si një finalizim i dashurisë së tyre. Unë jam përpjekur ta mbaj këtë marrëdhënies mes të dyve shumë të pastër. Nëse unë do të vendosja të shfaqja në ekran edhe momentin intim mes tyre, mendoj se karakteret dhe personazhet do të ngatërroheshin njëri me tjetrin. Në një film tjetër ndoshta, ku do të ishte primare marrëdhënia mes dy njerëzve, erotika do të kishte zënë vendin e vet edhe në mënyrën e të xhiruarit, por në këtë rast unë jam përpjekur të mos bëj krahasime. Marrëdhënia e dy të dashuruarve, Elsës dhe Shpëtimit, kam dashur të mbetet pak si meteor, si diçka e papërfunduar. Ndryshe nga skenat me bashkëshortët, që është pasqyruar totalisht si një detyrim formal, ku në çdo datë 5 të çdo muaji ata kryejnë detyrimin bashkëshortor edhe ikin.
Edhe ngjyrat në film janë ndryshe…
Në fakt, na mundoi shumë se cili do të ishte koloriti i filmi. Në fund vendosëm që ngjyra e filmit do të jenë ato të konjakut. Konjaku është vetmia, është dehja, arratisja nga momenti, është dëshira që ka njeriu të humbasë dhe të harrojë.
Po veshja e personazhit të vjehrrit me instrumentin e gajdes, ishte një gjetje që mund të shihej si ekzotike për të huajt, apo ka tjetër qëllim?
Një nga gjërat që e mundon krijuesin është edhe sesi do të jetë muzika e filmit. Unë gjithmonë kam dashur që në filmat e mi të ketë sa më pak muzikë dhe sa më pak ilustrime muzikore. Muzika ime dua të vijë nga zhurma e veprimeve në skenë. Kur kam xhiruar në Pogradec, kam parë një telereportazh televiziv dhe aty mësova se në atë zonë instrumenti kryesor që luhej ishte gajdja. Dhe doja që filmi të kishte edhe në muzikë identitetin e asaj zone ku dhe zhvillohen ngjarjet e filmit. Jam përpjekur t’i mbetem sa më besnik zonës gjeografike ku është xhiruar filmi.