E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luli Bitri: Një aktore mendon për rolin dhe jo për skenat

Për aktoren Luli Bitri preokupimi i saj për t’u bërë njësh me rolin e saj ka dominuar mbi kompleksitetin që mund të ketë një aktore në realizimin e skenave erotike. “Unë vetëm pasi mbaruam xhirimet vërejtja se ato ishin skena erotike. Ditën e xhirimit, që ne do realizonim skenën e burgut (takimin intim mes bashkëshortëve), në momentin që unë si Luli aktore hyj shoh një dhomë që ishte vërtet shokuese. Do të kisha shumë dëshirë që në ato momente të kisha një pasqyrë për të parë fytyrën time, sepse pikërisht ajo fytyrë dhe ai impresion do t’i duhej edhe Elsës të shfaqte kur të hynte për herë të parë në një dhomë takimesh në burg. Luli aktore u përpoq shumë që të ruante këtë impresion në fytyrë edhe kur të ishte Elsa, saqë harrova fare që kisha skena erotike. Dhe normalisht, duke qenë e përgatitur si aktore, dominante gjatë procesit të xhirimit bëhet shqetësimi sesi do ta realizoj rolin tim, si ta sjell personazhin e Elsës sa më mirë, duke menduar jo si Luli, por si Elsa: që pas këtij takimi më duhet të nisem në Pogradec dhe duhet të kap orarin e furgonit. Duke qenë se në këtë pikë jam Elsa dhe në kokë më ziejnë këto shqetësime dhe duke patur predispozitën si aktore për të mos u kompleksuar, por për ta çliruar veten, unë nuk kam patur vështirësi për t’i bërë absolutisht këto skena. Edhe pse skenat shkuan edhe pak më tepër sesi ishin parashikuar në skenar, ku unë në film zhvishem, gjë që në skenar nuk ishte parashikuar të ndodhte ashtu, por ishte thjesht një kuadër, ku unë do të isha e mbuluar dhe ku duken vetëm trupat. Por pavarësisht kësaj, nuk është aspak e lehtë, madje është shumë e vështirë të realizosh skena të tilla.”,- tha aktorja Luli Bitri.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›