Qendrat shëndetësore, gjobiten 137 mjekë
Ndëshkimeve të ISKSH-së nuk i kanë “shpëtuar” as mjekët e qendrave shëndetësore, të cilët edhe në kontrollet e fundit janë kapur në shkelje gjatë punës. Në bazë të kontrolleve të ushtruara në disa drejtori rajonale, si Durrës, Gjirokastër, Fier, që kanë kontratë 456 mjekë familje dhe mjekë specialistë janë penalizuar 137 prej tyre. “Nga 137 mjekë, janë vendosur masa administrative me gjobë për 33 mjekë me vlerën 76 mijë lekë, kusht penal për 20 mjekë me vlerën 88 mijë lekë, si dhe dëm ekonomik për 70 mjekë me vlerën 324 467 lekë”, - sqaron ISKSH. Problemet kryesore që janë konstatuar për mjekët janë: shkelje të kufizimeve të listës së barnave; shkelje të protokolleve të përdorimit të barnave dhe akteve të ISKSH-se për disa barna të veçanta; parregullsi e theksuar e kartelave klinike me mungesa të ekzaminimeve laboratorike dhe imazherike, të cilat ndihmojnë në vendosjen e diagnozës dhe përcaktimin sa më të saktë të mjekimit; mjekët nuk argumentojnë siç duhet rastet e reja dhe ato me ndryshim terapie, por bazohen thjesht në rekomandimin e mjekut specialist, dhe jo në bazë të argumentimit të tyre profesional dhe ekzaminimeve të domosdoshme laboratorike sipas protokolleve të përdorimit të barnave; kryerje të vizitës për persona të pasiguruar pa tarifat përkatëse të miratuara.