E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ervin Salianji fiton lirinë pas 9 muajsh në qeli, kreu 2/3-tën e dënimit për kallëzim të rremë

Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka fituar lirinë pas më shumë se 9 muajsh në burg.

Gjykata e Fierit mori sot (8 korrik) vendimin për lirimin me kusht të ish-deputetit, duke qenë se ai e ka kryer 2/3-tën e dënimit në burgun e Fierit. Vendimi i trupës gjykuese për Salianjin erdhi fill pas dakordësisë së dhënë nga prokurori Genc Mane dhe raportit pozitiv nga Shërbimi i Provës.

I pranishëm në seancën e sotme ka qenë dhe vetë Salianji. Pasi u njoh me vendimin e Gjykatës, ai doli nga salla i qeshur dhe i shoqëruar nga trupat policore, duke bërë me dije se në orën 17:00 do të dalë në një konferencë për shtyp nga selia e Partisë Demokratike.

“Dënim për të më shmangur nga beteja zgjedhore”

Në fjalën e tij për mediat, Salianji u shpreh i palëkundur, duke theksuar se ditët e tij në burg do të shërbejnë si burim frymëzimi për demokratët.

“Më shumë se 10 muaj në burg për arsye politike dhe sepse kam çuar para drejtësisë një trafikant drogë,” tha Salianji. “Dënim për të më shmangur nga beteja zgjedhore dhe është fitorja që kam pasur në çdo zonë që kam mbuluar PD. Ditët e mia këtu janë një burim frymëzimi për mijëra demokratë që do të rezistojnë për të rrëzuar një qeveri që është kokë e këmbë e kriminalizuar.”

Ai paralajmëroi se beteja e tij ligjore do të vazhdojë, duke deklaruar: “Unë do të vijoj betejën në Strasburg.” Salianji gjithashtu shfrytëzoi rastin për të sqaruar natyrën e burgosjes së tij: “Burgu si urohet as armikut, por sot kam një program tjetër dhe e ndiej që Shqipërinë e ka dobësuar më shumë, për ata që kanë qenë të pavëmendshëm unë s’kam bërë burg për vjedhje, por arsye politike.”

Ish-deputeti njoftoi se planifikon të vizitojë menjëherë një zonë zgjedhore në një fshat të Fierit, ku Partia Demokratike ka fituar, për t’i falënderuar banorët për rezistencën e tyre.

Ndërsa Ledio Braho, avokati i Salianjit, deklaroi për mediet se procesi mbi klientin e tij ka qenë i padrejtë prej fillimit, ndërsa arrestimin e tij e konsideroi një vendim politik.

“I gjithë procesi për mendimin tim është krejt i padrejtë. Ai ishte dënim politik dhe i burgosur politik, por sot arritëm që të shkurtonim nga vuajtjet e dënimit me burgim më pak se dy muaj e gjysmë nga dënimi i mbetur. Procedurat janë që ai duhet të lirohet brenda ditës së sotme, pra lirim i menjëhershëm. Zoti Salianji sqaroi që gjithmonë beteja e tij ka qenë për interesin publik dhe do të mbetet vetëm për interesin publik”, sqaroi Braho.

Kujtojmë se më 26 shtator 2024, Salianji u dënua me 1 vit burg për kallëzim të rremë nga Gjykata e Apelit.

Në 2018-tën ai publikoi materiale të prezantuara si audiopërgjime, përmes së cilave pretendonte se vëllai i ministrit të Brendshëm të kohës, Fatmir Xhafaj, ishte i përfshirë në trafikun e drogës. Nga hetimet e rezultoi se materiali ishte i montuar dhe biseda me dëshmitarët e rremë ishte e tëra e simuluar për të ngarkuar vëllain e ish-ministrit.

Salianji qëndroi i izoluar në burgun e Fierit prej muajit tetor të vitit të kaluar. Ish-deputeti u shpall fajtor me vendim të formës së prerë për kallëzim të rremë nga Gjykata e Apelit për dosjen ‘Babale’, duke e dënuar me 1 vit burg. Salianji e cilësoi procesin si të montuar dhe e quajti veten një të dënuar politik.

Në muajin mars, Gjykata e Lartë i rrëzoi rekursin kundër dënimit me 1 vit burg, duke mbajtur të njëjtin qëndrim si tetorin e kaluar kundrejt pezullimit të dënimit me burg.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›