E Hënë, 2 Nëntor 2026

Investime në Luginën e Valbonës, rikonstruktohen disa segmente, mes tyre Ura e Valbonës-Fusha e Gjësë

Në Luginën e Valbonës një prej destinacioneve më tërheqëse turistike të Shqipërisë ka nisur puna për zgjerimin e segmentit rrugor Ura e Valbonës – Fusha e Gjësë, me një gjatësi prej 4 kilometrash.

Sipas Avdyl Byberit përfaqësues i firmës që po realizon punimet rruga hyrëse drejt Valbonës do të zgjerohet në të dy krahët për të krijuar korsi të posaçme për këmbësorë dhe biçikleta si dhe do të pajiset me ndriçim publik, duke përmirësuar ndjeshëm sigurinë dhe komoditetin e vizitorëve.

“4 kilometër do të shtohet nga të dyja anët. Një anë do të jetë për biçikleta dhe ana tjetër për këmbësorët”, tha ai.

Gjithashtu do të bëhet edhe sistemi rrugor që të çon deri te burimi i lumit Valbonë një nga pikat më të vizituara të zonës.

“Sistemimi i rrugës do të vazhdojë deri tek burimi i lumit Valbonë”, theksoi Byberi.

Këto investime realizohen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe konsiderohen jetike për të menaxhuar rritjen e madhe të turistëve që frekuentojnë Valbonën veçanërisht në sezonin veror. Përveç ndikimit pozitiv në turizëm ky zgjerim pritet të lehtësojë qarkullimin dhe të rrisë sigurinë për banorët lokalë dhe vizitorët e shumtë që e zgjedhin këtë park kombëtar për ecje malore, çiklizëm, xhiro me motor dhe relaks në natyrën e alpeve shqiptare.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›