Nga pema në kavanoz, në Lapardha të Beratit, kultivimi për agro-industrinë po jep rezultat

Prodhuesit e pemëtoreve për përpunim janë të paktë në Shqipëri, por në Berat sektori po merr jetë. Në pesë hektarë në Lapardha, çdo ditë mblidhen rreth shtatë ton pjeshkë për qëllime përpunimi.
Prodhimi është i kënaqshëm, shitja e garantuar dhe çmimi justifikon kostot. Fermerët kanë gjetur rrugën e bashkëpunimit me agro-ushqimin, larg tregut konsumator.
“Prodhimi del në fund të gushtit-shtator. Nga shteti unë dua subvencionim vetëm për rrjeta”, tha fermeri nga Lapardhaja, Baftjar Çifliku.
Babë e bir, Baftjar dhe Elidon Çifliku, hoqën dorë nga jeta e emigracionit dhe iu përkushtuan pemëtarisë. Ruajtën fidanët vendas dhe zgjodhën varietete të përshtatshme për përpunim.
“Prodhimi është i bollshëm, çmimi është i arsyeshëm, sivjet është me plot bereqet”, tha fermeri.
Frutat me cilësi të lartë për përpunim kërkohen gjithnjë e më shumë, por në Shqipëri janë të pakta. Në Lapardha, pjeshka për komposto është më e kërkuara. Sipas sipërmarrësit Arben Zdrava, kërkesa për pjeshkë, qershi, kumbull, mollë e fiq është shumë më e madhe se prodhimi. Ai nënvizon mungesën e rrjetave kundër breshërit.
“Pjeshkat e Lapardhasë është shumë e kërkuar sepse është një ndër kompostot më të mira”, tha sipërmarrësi, Arben Zdrava.
Fermerët kërkojnë prej kohësh mbështetje për rrjetat mbrojtëse, pasi moti i keq i dëmton vazhdimisht pemët. Pa subvencione, shumë janë të detyruar t’i presin pemët.
/rtsh.al/