E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Erzeni, kryesues për një ditë

Erzeni, qoftë dhe për një ditë, është rikthyer kryesuese e Kategorisë së Parë. Shijakasit kanë fituar ndeshjen e tyre me Tomorin në “Tofik Jashari”, 2-1, kjo falë golave të Ymerit dhe Rraboshtës e tanimë shpresojnë që Apolonia t’i bëjë të dielën një dhuratë për të frenuar Bylisin. Goli i Manellarit nuk ka mjaftuar për beratasit, edhe pse kishte fiksuar barazimin momental.

Sakaq Korabia ka bërë ndoshta një hap fals, teksa ka barazuar 0-0 në Burrel, kur kishte të gjitha mundësitë të ishte më pranë kryesueseve të Kategorisë së Parë. Tërbuni ngjitet në renditje pas fitores 1-0 ndaj Butrintit. Por të njëjtën gjë ka bërë dhe Maliqi, që duke fituar 3-2 me Besën lë fundin e renditjes, kurse peqinasit kanë bërë një harakiri në fushën e tyre me disfatën 2-5 me Besëlidhjen.

Turbina triumfon në transfertën vorake e Lushnja dhe Pogradeci ndajnë nga një pikë. Kështu Kategoria e Parë vijon të prodhojë spektakël dhe gola me shumicë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›