KOKSH, më 2 prill Asamble e Jashtëzakonshme

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar duket se i është rikthyer modave të fundit të debateve mes anëtarëve, apo dhe të Asambleve, që kanë për qëllim shkarkim dhe rizgjedhje të të tjerëve. Sipas njoftimit zyrtar të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, më 2 prill, në ora 11:00, do të zhvillohet Asambleja e Përgjithshme e Jashtëzakonshme, e cila do të ketë në rendin e ditës dy mocione mosbesimi. I pari është për thesaristin Genc Boga, që, gjithnjë sipas njoftimit zyrtar të institucionit më të lartë të olimpizmit shqiptar, ka ushtruar detyrën në mbledhjet e Komitetit Ekzekutiv në mënyrë destruktive dhe jo në përputhje me parimet e frymës Olimpike, kjo në prani të anëtareve të tjerë të KE-së, të cilët ushtrojnë dhe detyrën e Presidentëve apo Sekretarëve te Përgjithshëm të anëtarëve të KOKSH.
Më tej akoma, tentativa të përsëritura për të tejkaluar komptetencat e dhëna në Statut për këtë pozicion. E mocioni i dytë i mosbesimit është për anëtaren e Komitetit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Tatjana Marash, që ka kryer ushtrimin e detyrës në mënyrë destruktive dhe jo në përputhje me parimet e frymës Olimpike, kjo në prani të anëtarëve të tjerë të Komitetit Ekzekutiv, të cilët ushtrojnë dhe detyrën e Presidentëve apo Sekretarëve të Përgjithshëm të anëtarëve të KOKSH.
Por për Marash është kërkuar mocioni i mosbesimit edhe për dëmtimin dhe denigrimi imazhit të KOKSH-it nëpërmjet thyerjes së Kodit të Etikës në medie publike dhe deklaratave që kanë qëllim destruktiv dhe që përfshijnë fjalor jo etik dhe spekulime publike. Por, në një komunikim me Tatjana Marash, njoftohet se ka dhënë dorëheqjen më parë se sa të vinte ky mocion mosbesimi për të. Madje të njëjtin akt ka kryer dhe Gjergji Ruli e Izmir Smajlaj, ndonëse ky i fundit, edhe pse vinte me propozim të komisionit të sportistëve, asnjeherë nuk u konfirmua në këtë pozicion.
Asambleja e Jashtëzakonshme është thirrur me 1/3 e anëtarëve, ndërsa tanimë Komitetit Ekzekutiv ka mbetur me presidentin Fidel Ylli, zëvendëspresidentin Erlind Pëllumbi dhe anëtarët Enkelejda Çaushi, Luiza Gega, Endri Hoxha, Florend Kalivopulli dhe Labo Çapo.
Që do të thotë se pas kësaj Asambleje të Jashtëzakonshme me dy mocione mosbesimi do të duhet të ketë dhe një të radhës tanimë për të votuar anëtarët e rinj të Komitetit Ekzekutiv, duke përfshirë dhe thesaristin. Një situatë që nuk i shkon për shtat Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar në veçanti, por në tërësi dhe sportit shqiptar.