Është zyrtare: Pogba largohet nga Mançester Junajtid

Mungonte vetëm statusi zyrtar e tashmë ka ardhur: Paul Pogba largohet nga United. Klubi i Mançesterit e ka përshëndetur në tëitter me një falënderim të thjeshtë, ndërsa në faqen e klubit gjendet deklarata që kujton historinë mes mesfushorit francez dhe Djajve të Kuq. “Klubi njofton se Paul Pogba do të largohet nga Manchester United në fund të qershorit, kur i skadon kontrata. Ai ka qenë me ne për një kohë të gjatë, pasi ka filluar në Akademi, duke ardhur nga Le Havre kur ishte ende gjashtëmbëdhjetë vjeç”.
Pasi kujton karrierën e gjatë dhe fitoret e mesfushorit francez, deklarata përfundon: “Të gjithë në klub duan të urojnë Paul për karrierën e tij të suksesshme dhe për gjithçka që i ka dhënë United. I urojmë më të mirën për hapat e ardhshëm të rrugëtimit të tij të jashtëzakonshëm”. Një rrugëtim që me siguri do të nisë nga Torino, skena e një periudhe tjetër të artë të karrierës së tij.