Merr fund problemi i përmbytjeve, pastrohet kanali kullues në Lushnje

Pastrimi i një pjese të rëndësishme të kanalit të madh kullues në Lushnje, e largon këtë qytet nga harta e përmbytjeve. Pas 10 vitesh, Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit në Fier, ka nisur punën për pastrimin e rreth 2 km kanal, me fondet e shtetit shqiptar. Për banorët e lagjes, kjo punë, po sjell ndryshim në infrastrukturën rrugore, ndërsa kërkohet plotësimi i nevojave të tjera komunitare.
Të paktën 3500 ha tokë bujqësore që kullohet nga ky kanal nuk do të përmbytet. Madje edhe nënkalimi i autostradës Lushnje – Tiranë, bëhet i kalueshëm për drejtuesit e automjeteve. Ujërat e dy përrenjve Lushnje dhe Karbunarë derdhen në këtë segment i cili është nyjë e rëndësishme për rrjetin kullues të rrethit.
Kanali kullues kalon përmes lagjes “18 Tetori të Lushnjës, nëpër zonat e banuara. Ujërat e tij përfundojnë në emisarin e Myzeqesë dhe me tej derdhen në det. Kjo nyjë e rëndësishme për sistemin kullues ka shpëtuar nga ndërtimet pa leje mbi të, por mospastrimi i tij çdo sezon shirash sillte përmbytjen e banesave dhe tokave bujqësore.
/rtsh/