Eshton dhe Fyle: Zgjedhjet ishin të rregullta, ruani standardet deri në fund dhe formoni shpejt qeverinë
Kryediplomatja e Bashkimit Europian, Katerin Eshton, së bashku me Komisionerin për Zgjerimin, Stefan Fyle kanë përgatitur një deklaratë të përbashkët për shtyp në lidhje me zgjedhjet në Shqipëri.
Në deklaratë këto zgjedhje vlerësohen si përgjithësisht të rregullta, ndërsa bëhet thirrje për kompletimin e procesit në mënyrë të rregullt dhe formimin e qeverisë së re në kohë./ep
Do të donim të përgëzonim qytetarët shqiptarë për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, që u zhvilluan në mënyrë përgjithësisht të rregullt. Tani duhet të sigurohet një ndjekje e shpejtë e konstatimeve dhe konkluzioneve paraprake të Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve. Ne dënojmë rastet e raportuara të dhunës dhe presim që këto incidente të hetohen plotësisht dhe autorët të dalin përpara drejtësisë.
Tani është e rëndësishme që fazat e mbetura të procesit zgjedhor të mbyllen në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe të BE. Ne i bëjmë thirrje të gjitha partive politike që të veprojnë me një frymë konstruktive për të mirën e popullit shqiptar.
Pasi të certifikohen rezultatet, ne inkurajojmë formimin në kohë të qeverisë për të adresuar sfidat e menjëhershme për të siguruar që axhenda e reformave në vend po ndiqet energjikisht dhe se procesi i integrimit evropian të fitojë vrull të ri, thuhet në deklaratë./ep