E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eskorta e Berishës, aksident në rrugën e Rinasit

Eskorta e kryeministrit Berisha është përfshirë mesditën e djeshme në një aksident të rrezikshëm automobilistik në rrugën që të shpie për në aeroportin e Rinasit. Si pasojë e përplasjes, një nga shoqëruesit e kryeministrit ka përfunduar në Spitalin Ushtarak në gjendje të rëndë shëndetësore. Makina me të cilën është përplasur ai nuk ka pësuar dëme të mëdha. Vetë kryeministri ka vazhduar rrugën pa ndaluar dhe pak minuta më pas i ka hipur avionit dhe është larguar për në Norvegji.

Aksidenti

Burime nga vendi i ngjarjes pohuan se eskorta e gjatë që shoqëron kryeministrin Berisha është pikasur nga shoferët e tjerë që në autostradë. Për shkak të shpejtësisë së madhe me të cilën ajo lëviz, të gjithë shoferët i kanë hapur rrugë. Karvani me makina që shoqëronte kryeministrin është parë të hyjë në kthesën që të shpie për në rrugën e Rinasit. Pasi ka kaluar mbikalimin, rreth 200 metra më tej, pranë një ure të vogël, makina e parë e eskortës është përplasur me një veturë private.

Dëshmitarët nga vendi i ngjarjes pohuan se makina e parë e eskortës, një makinë policie Skoda Fabia është përplasur me një Ford Fokus me portobagazh. Makina e policisë është përplasur nga krahu i shoferit dhe ka përfunduar rreth 20-30 metra jashtë rrugës. Makina e policisë kishte ndaluar në një arë në krah të rrugës. Makina tjetër me portobagazh ndodhej ende në rrugë. Ajo kishte dëmtime në krahun e pasagjerit ndërsa makina e policisë kishte dëmtime në krahun e shoferit. Përveç kësaj, makina e policisë ishte dëmtuar duke u rrokullisur në arë. Pyetëm një polic dhe na tha që nuk kishte të vdekur, nuk e dinim që bëhej fjalë për eskortën e kryeministrit,- tha dje për Shekullin një dëshmitar nga vendi i ngjarjes.

Hetimet

Burimet zyrtare të policisë janë treguar shumë të rezervuara në lidhje me aksidentin e djeshëm. Ato kanë pohuar vetëm se drejtuesi i automjetit, Gj.B ka marrë plagë të rënda dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak. Në orët e mbrëmjes policia pohoi se drejtuesi i makinës së eksortës së kryeministrit ka dalë nga gjendja e rrezikut për jetën.

Disa minuta pas aksidentit, vendi i ngjarjes është mbushur me efektivë të ndryshëm policie. Uniformat blu kanë krijuar edhe një postbllokt që ndalonte kalimin e makinave në zonën e aksidentit. Të gjitha makinat janë detyruar të kalojnë shumë ngadalë dhe nën vëzhgimin e rreptë të policisë. Ndërkohë ekspertët kanë nisur të kryejnë matjet në vendin e aksidentit. Burimet e policisë thanë dje në mbrëmje se është shoqëruar në komisariat drejtuesi i makinës tip Ford Fokus, por pa dhënë shpjegime të tjera në lidhje me ngjarjen. Dëshmitarët thanë dje se shpejtësia maksimale e lejuar në rrugën ku ndodhi aksidenti është 50 kilometra në orë. Në atë zonë ndalohej edhe parakalimi. Duke parë vendosjen e makinave pas aksidentit, rreth 150 metra larg njëra-tjetrës, mendoj se kanë qenë shumë shpejt,- tha dje një dëshmitar okular i ngjarjes.

Berisha-Rama, replika për ekonominë e taksat

Pak përpara aksidentit në rrugën e Rinasit, kryeministri Berisha ndodhej në krahun tjetër të Tiranës ku ka marrë pjesë në një panair agrobiznesi të organizuar nga disa komuna kufitare të Tiranës. Por edhe nga panairi, Berisha replikoi me kreun e opozitës, Rama dhe programin e tij për taksat. Nuk do të rris taksat siç kërkon zoti Rama, me një urrejtje arkaike ndaj të pasurve. Unë i them atij se problemet e varfërisë në sistemin e lirisë nuk zgjidhen kurrë duke luftuar të mëkëmburit, por zgjidhen duke bërë çdo gjë që edhe të varfrit të bëhen të mëkëmbur dhe në qoftë se ti rrit taksat siç thua, për të shkatërruar me një të rënë të lapsit qindra-mijëra vende pune, nuk bën gjë tjetër veçse thellon varfërinë dhe mjerimin në vendin tënd, por kjo kohë ka perënduar dhe nuk kthehet më. Merru më kujtimet e tua,- tha kryeministri Berisha.

I menjëhershëm ishte reagimi i kryesocialistit Rama përmes adresës së tij në rrjetin social Tëitter: Për cilët të pasur e ke fjalën Sali, për 99% të tyre që po i mbyt apo për 1% që po i majm? Të gjithë do paguajnë sa u takon. Ndërkohë pak minuta më pas Rama bëri edhe një postim të dytë ku tha: 95% e shqiptarëve do paguajnë më pak, ndërsa biznesmenët do shpëtojnë nga kthetrat e bizneseve të pushtetit.

Kryeministri niset për në Norvegji

Në momentin që eskorta e kryeministrit Berisha ka kryer aksidentin në rrugën e Rinasit, kreu i qeverisë po shkonte në aeroport nga ku do të nisej për në Norvegji. Faqja zyrtare e Këshillit të Ministrave publikoi dje axhendën e kryeministrit Berisha duke dhënë detaje të viztës, por pa përmendur në asnjë rast aksidentin në rrugë dhe gjendjen shëndetësore të punonjësit të policisë që ndodhet në Spitalin Ushtarak.

Kryeministri Berisha do të takohet dhe zhvillojë bisedime me homologun e tij norvegjez Jens Stoltenberg, pas të cilës, do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për shtyp. Kryeministri Berisha do të  ketë një audiencë me Lartmadhërinë e Tij Mbretërore, Princin e Kurorës Haakon Magnus. Kryeministri Berisha shoqërohet në këtë vizitë, nga një delegacion  me përfaqësues të bizneseve shqiptare, kryesisht në fushën e energjetikës dhe të teknologjisë së informacionit. Së bashku me ta, Kryeministri Berisha do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik, të organizuar nga shoqatat norvegjeze që përfaqësojnë bizneset e hidro-energjetikës dhe teknologjisë së informacionit,- thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

Sipas tij, kryeministri Berisha do të takohet edhe me përfaqësuesit e firmës norvegjeze Statkraft, e cila është një nga financueset e projektit të gazsjellësit Trans Adriatik. Përveç saj financues janë edhe zvicerano-serbja EGL dhe gjermania Ruhr Gaz. Projekti parashikon dërgimin e gazit nga Azerbajxhani në Europë duke kaluar përmes Ballkanit. Kjo çështje u bë e njohur në Shqipëri për shkak të implikimit të sekserëve të Berluskonit, Giampaolo Tarantini dhe Roberto De Santis në këtë çështje.

Kronologji aksidentesh

Në janar të vitit 2009 eskorta e kryeministrit Berisha është në një aksident automobilistik në zonën e njohur si Rruga Bardhyl në kryeqytet. Aksidenti ka ndodhur në orët e vona të një dite të shtunë dhe makina e Berishës është përplasur me një tjetër makinë policie. Skoda e policisë rrugore i ka hequr parakolpin makinës që shoqëronte kryeministrin dhe është larguar nga vendi i ngjarjes pa ndaluar. Në atë kohë drejtuesit të makinës së policisë i është tërhequr vërejtje dhe është pezulluar për pak kohë nga detyra. Sot ai është ende në poste drejtuese në radhët e policisë rrugore.

Helikopteri i Berishës pëson avari në Pukë

Në prill të vitit 2010 kryeministri Berisha është përfshirë në një aksident, këtë herë me helikopter. Kryeministri Sali Berisha po kthehej me helikopter nga Prizreni, pas ceremonisë për nisjen e punimeve të autostradës së re për autostradën Morinë- Merdare, por helikopteri ka bërë një ulje të detyruar në aeroportin ushtarak të Gjadrit në Lezhë. Ulja ka vënë në alarm Gardën e Republikës dhe repartin e helikopterëve të Farkës. Menjëherë në Gjadër ka mbërritur eskorta që ka siguruar transportin e kryeministrit në rrugë tokësore për në kryeqytet. Arsyeja e një ulje të detyruar të helikopterit ka qenë pikërisht sinjali i alarmit që ka dhënë helikopteri teksa kryeministri ndodhej mbi zonën e Pukës. Një nga sinjalet spiune të sistemit të motorit ka lajmëruar për defekt dhe menjëherë, për të mos rrezikuar avari më të rëndë, pilotët kanë bërë ulje të detyruar.

Makina e eskortës përpl

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›