E Shtunë, 31 Tetor 2026

Et’hem Ruka pret dy orë në paradhomë Ramën, ai largohet pa i folur

16-03-2013 / Gazeta 55

Et’hem Ruka është klasifikuar tek 40 deputetët që s’do të rikandidohen, meqë s’vlerësohet si edvinist e mjaftueshëm 99-sh. Komunikimi ishte planifikuar të bëhej gjatë një takimi zyrtar, por pasi ka pritur 2 orë për një “audiencë pozitive”, Edi Rama ka dalë nga zyra, duke mos denjuar t’i hedhë as edhe një shikim deputetit që priste në paradhomë. Pas turpërimit, Ruka takohet me Arben Malajn dhe konsultohet rreth rrezikut që i pret socialistët e “vjetër” në Partinë e Re të Edi Ramës

Edi Rama po i prezanton një nga një kandidatët e PS-së dhe ndër 4-5 emrat e deklaruar zyrtarisht, asnjë prej tyre s’është deputet aktualisht në grupin parlamentar socialist. Të gjithë janë miq dhe bashkëpunëtorë të Edi Ramës në instalimin e “diktaturës” së interesave klienteliste në selinë rozë (e cila tashmë ka marrë ngyrën mavi) dhe zhbërjen, përjashtimin dhe përndjekjen e çdo lloj produkti adekuat socialist aty. Nga këtu kuptohet se celula e ardhshme opozitare (pas 23 qershorit) do përbëhet nga biznesmenë, policë, prokurorë, të “fortë” dhe Mjaft-istë. Shifrat e publikuara ditët e fundit në media se Edi Rama nuk do të vendosë rreth 40 deputetë të grupit kuvendor aktual, apo mbi 60 përqind të deputetëve aktualë nuk do të jenë më në listën e kandidatëve për vitin 2013, ka bërë që të “vjetrit” e PS-së, të vihen në lëvizje, si përpjekje për ta këshilluar pozitivisht uzurpatorin e PS-së. I pari që ka tentuar, ka qenë Et’hem Ruka, i cili ka guxuar të shkojë deri në paradhomën e zyrës së kryetarit të PS dhe të presë aty plot 2 orë..., teksa brenda gatiteshin tezat e spastrimit të fundit të PS-së. Momenti i shumëpritur, pra ai i takimit të hapur në shërbim të një audience pozitive në interes të Partisë Socialiste, ka ndodhur ajo që z.Ruka as që e ka parashikuar dhe menduar. Edi Rama ka dalë nga zyra me hovin një nevrasteniku dhe “vizitorin” (Et’hem Rukën), as që ka denjuar ta shohë në sy, edhe pse ky i fundit kishte më shumë se 2 orë që priste në paradhomën e zyrës së kryetarit. Me këtë veprim tërësisht përçudnues dhe gjithnjë e më larg afeksionit të “Rilindjes” që propagandon kryesocialisti mitingash, kuptohet se nuk bëhet fjalë më për ekzistencën e Partisë Socialiste, por për krijimin e një lobi punistësh nën siglën Partia e Re e Ramës. Kësisoj, Et’hem Ruka dhe gjenerata e të vjetërve (edhe ata pak që kanë mbetur), shihen të tepërt në korridoret e ngrehinës mavi, pasi nuk cilësohen miliardierë, servila, edvinistë, 99-sha dhe Mjaft-istë. Fati i tyre është i destinuar të jetë jashtë spektrit politik që do përfaqësojë opozita e ardhshme puniste. Dhe kjo s’është për tu çuditur, pasi tashmë është fakt se, një nga kontribuuesit më të mëdhenj të kauzave të Partisë Socialiste, Kastriot Islami është shpallur person non grata nga Edi Rama dhe klika e tij anarshiste. “Kurban- përndjekja” po shkon dhe më tej, s’mjaftohet kurrsesi me “kokën” e Islamit, pasi në listën e të rriskuarve për të qenë jashtë sallës së parlamentit, është edhe Et’hem Ruka. Shqetësimin e tij, z.Ruka e ka ndarë me Arben Malajn, pasi halli i z.Ruka është edhe hall i z.Malaj. Të dy janë nga socialistët e pakët të mbetur në Partinë Rama..., dhe kontributi i tyre shihet si i panevojshëm përsa kohë nuk janë miliarderë, servilë, edvinistë, 99-sha dhe Mjaft-istë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›