Ndryshimi i emrit për komunën Liqenas-Pustec, një mësim që Maqedonia duhet ta marrë nga Shqipëria
Vendimi për ndryshimin e emrit të komunës, i cili nuk irritoi shumicën absolute të popullsisë shqiptare në Shqipëri dhe nuk shkaktoi tensione ndëretnike, vjen në një kohë kur në Maqedoni mbizotërojnë edhe më tej paragjykimet dhe rezistenca ndaj realizimit të të drejtave të shqiptarëve, të cilët janë shumëfish në numër më të madh sesa maqedonasit në Shqipëri
Vendimi i Komisionit parlamentar të ligjeve në Shqipëri për emërtimin zyrtarë të komunës me shumicë maqedonase nga Liqenas në Pustec, ashtu siç kanë kërkuar banorët e kësaj komune, ka befasuar vendet fqinjë, ndër ta edhe opinionin në Maqedoni. Fakti që shumica e deputetëve nga radhët e Partisë Demokratike të kryeministrit Sali Berisha e propozoi dhe miratoi vendimin, ndërsa opozita socialiste e Edi Ramës nuk kontestoi përmbajtjen por vetëm periudhën, ka dëshmuar një pjekuri politike të shoqërisë dhe vetë shtetit shqiptarë, thonë analistët politik në Maqedoni. Vendimi i cili nuk irritoi shumicën absolute të popullsisë shqiptare në Shqipëri dhe nuk shkaktoi tensione ndëretnike, vjen në një kohë kur në Maqedoni mbizotërojnë edhe më tej paragjykimet dhe rezistenca ndaj realizimit të të drejtave të shqiptarëve, të cilët janë shumëfish në numër më të madh se sa maqedonasit në Shqipëri. Ndërkohë, edhe 12 vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, në Maqedoni mbeten edhe shumë vendbanime me emra sllavë të trashëguara nga ish-federata jugosllave, ndërsa edhe një vendim më i vogël për ndryshimin e emrave të rrugëve dhe shkollave ngjallë reagime dhe tensione te popullata maqedonase, ndërsa atyre ju paraprijnë reagime të vrullshme nga partitë maqedonase si ato në pushtet, ashtu edhe në opozitë. Një hap i tillë i shtetit dhe shoqërisë shqiptare, e cila nuk reagoi negativisht ndaj vendimit, është një shembull që duhet t’ju shërbejë të gjithë vendeve të rajonit se si duhet të sillen ndaj komuniteteve të tjera joshumicë në vendet e tyre , thonë analistët politik në Maqedoni. “Është për t’u përshëndetur një vendim i tillë, pasi vetë gjesti në vete është pozitiv dhe në drejtim të respektimit të pakicave që jetojnë në Shqipëri. Ky është një hap shumë i mirë dhe kuptohet se një hap i tillë i Republikës së Shqipërisë dhe kryeministri Berisha duhet t’ju shërbejë edhe vendeve të rajonit. Ky hap është një shtytje për thellimin e raporteve të mira mes vendeve dhe komuniteteve në rajon dhe shpresojmë që do ta ndjekin edhe shtetet e tjera”, thotë profesori Vllado Popovski, njëri nga përpiluesit e Marrëveshjes së Ohrit. Megjithatë, ai shprehet skeptik se guximi i shtetit dhe politikës shqiptare do të arrijë të efektuojë te shtetet fqinje të cilat duhet të ndjekin një hap të tillë. “Këtë qasje dhe këtë politikë duhet ta ndjekin edhe shtetet e tjera, por nuk besoj që do të ketë menjëherë efekt duke i ditur qëndrimet politike. Kemi një Greqi e cila nuk pranon asnjë etnitet pakicë, ndërsa njeh vetëm një pakicë religjioze, atë të myslimanëve, ndërsa dihet se në Greqi jetojnë edhe shqiptarë, maqedonas dhe etnitete të tjera. Kemi edhe një Bullgari e cila të paktën ndaj çështjes maqedonase ka qëndrim të ngurtë, por ne përsëri shpresojmë se shembulli i Shqipërisë do të ketë ndikim edhe atje, ashtu si edhe në Serbi, Rumani dhe vendet e tjera të Ballkanit që ende kanë paragjykime dhe janë të ngurta sa u përket komuniteteve joshumicë”, thotë Popovski. Analistët shqiptarë në Maqedoni thonë se një hap i këtillë i elitës politike në Shqipëri ka kaluar të gjitha kufijtë e tolerancës dhe është një shembull që nuk presin ta ndjek asnjë shtet tjetër në rajon, madje as Maqedonia. Edhe pse ata vlerësojnë se në fjalorin e gjuhës zyrtare shqipe nuk duhet lejuar të hyjë një term maqedonas dhe se do të mjaftonte që kjo t’u jepej si e drejtë vetëm minoritetit maqedonas, megjithatë ky vendim thonë ata, flet se shqiptarët nuk kanë fobi, paragjykime dhe stereotipe ndaj minoriteteve dhe janë të gatshëm të tolerojnë edhe përtej kufijve të tolerancës së parë ndonjëherë. “Kjo mënyrë e zgjidhjes së kësaj çështje mendoj që nuk do të pranohet, jo në Maqedoni por në asnjë vend tjetër. Shqipëria si duket do të jetë një shembull ‘sui generis’ në këtë drejtim. Kjo në fakt flet edhe për një çështje tjetër, se sa shqiptarët nuk kanë fobi ndaj të tjerëve, do të thotë nuk kanë paragjykime, nuk kanë urrejtje, dhe siç duket në një situatë të këtillë shkohet edhe aq larg në skajshmëri, që mund të jetë në dëm të gjuhës shqipe. Toponimia shqipe nuk e njeh akronimin Pustec, përkundrazi ka akronim tjetër. Unë jam dakord që banorëve të atij vendbanimi që mos t’ju imponohet, siç ka qenë këtu praktika, që në gjuhën e tyre të përdorin akronomin e toponimit shqip, por të futet në fjalorin shqiptarë mendoj që nuk është në rregull. Tek ne në Maqedoni kemi problem krejt tjetër, nuk bëhet fjalë që ne t’ua imponojmë të tjerëve toponimin shqip, përkundrazi maqedonasit na imponojnë neve”, deklaroi analisti Naser Ziberi. Një vendim i tillë, shton më tej ai, vjen në një situatë kur nuk ekziston asnjë dokument ndërkombëtarë që e imponon këtë çështje. Vendimi për emërtimin zyrtarë të Komunës së Liqenasit në Pustec, duhet të miratohet edhe në seancë plenare në Parlamentin e Shqipërisë.
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha