E Diel, 1 Nëntor 2026

Eto’o te Anzhi, firma hidhet sot, Interi do të synojë Karlos Tevez

Kamerunasi do të shndërrohet në lojtarin më të paguar në planet me 20 milionë euro në sezon

Inter ka arritur marrëveshjen me klubin rus, Anzhi Makhaçkala për transferimin e sulmuesit Samuel Eto’o, lëvizje që do të bëjë lojtarin kamerunas futbollistin më të paguar në botë. Pas disa ditëve bisedimesh, mediet italiane kanë njoftuar dje se klubet kanë arritur marrëveshje me vlerë prej 27 milionë euro, e cila do të zyrtarizohet sot. Anzhi pritet t’i ofrojë Eto’o-s një kontratë trevjeçare me vlerë prej 20 milionë eurosh në sezon, duke tejkaluar 12 milionë eurot e pagës së Kristiano Ronaldos në Real Madrid dhe 10.5 milionë eurot e Lionel Mesit. Anzhi, klub nga provinca e Dagestanit në jug të Rusisë, është pronë e miliarderit Sulejman Kerimov. Në moshën 30 vjeç, Eto’o është ende në kulmin e karrierës së tij, kurse deri më tani ka fituar tre tituj të Ligës së Kampionëve, dy me Barcelonën dhe një me Interin, ndërsa thuhet se është i lumtur të luajë në ligën ruse, e cila është në lulëzim. Revista “Forbes”, në listën e njerëzve më të pasur në botë e pozicionin Kerimovin në vendin e 118-të, së bashku me kryeministrin italian, Silvio Berlusconi dhe familjen e tij, me pasuri të vlerësuar në 7.8 miliardë dollarë. Kapiten i Anzhit është 38-vjeçari Roberto Karlos, njëri prej mbrojtësve të majtë më të dalluar brazilianë. Transferimi i Eto’o-s është njëra prej marrëveshjeve më të shtrenjta deri më tani gjatë kësaj vere, shumë pranë 29 milionë eurove që pagoi Barcelona të hënën e kaluar për transferimin e Çesc Fabregasit. Transferimi më i shtrenjtë gjatë këtij afati kalimtar është ai i Serxho Agueros nga Atletiko Madrid te Mançester Siti për 38 milionë stërlina. Paris Saint Germain shpenzoi 42 milionë euro për blerjen e Havier Pastores nga Palermo. “Kur vjen një ofertë e tillë, është vështirë të refuzohet”, tha presidenti i Interit, Masimo Morati të mërkurën për “Gazzetta dello Sport”. Morati shtoi se rregullat e reja të UEFA-s për fair-play financiar kanë detyruar klubet të vlerësojnë buxhetin e tyre dhe shpenzimet. Llogaritë e klubeve do të inspektohen nga UEFA nga qershori 2013. “Fair-play financiar është serioz. Kushdo që nuk i respekton parametrat, do të përjashtohet nga garat europiane”, u shpreh Morati. Diego Forlan i Atletiko Madridit, Ezekiel Laveci i Napolit dhe Karlos Tevez i Mançester Sitit, mendohet se do të jenë kandidatët për të zëvendësuar Samuel Eto’o-n. Para transferimit te Inter, më 2009, Eto’o luajti pesë sezone me Barcelonën. Futbollistët e Anzhit jetojnë dhe stërviten jashtë Moskës, ndërsa udhëtojnë në Makhaçkala për ndeshjet si pritës, duke përshkruar rreth 2000 kilometra, 15 herë në sezon.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›