E Diel, 1 Nëntor 2026

Lamtumira e Bushit kundër Francës!

SHKRUAN: Jeton Selimi 23-08-2011 11:41

Ndonëse Alban Bushi është tëhequr nga futbolli thuajse një vit më parë, Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur që të mos humbasë më kohë dhe t’i dhurojë Alban Bushit, kryegolashënuesit kuqezi, ndeshjen e lamtumirës. Sipas asaj që u mësua dje në zyrat e FSHF-së, do të jetë ndeshja kundër Francës, sfida e zgjedhur për të nderuar ashtu siç duhet njeriun që mban rekordin e golave me fanellën kuqezi. Detaje të hollësishme nuk ka, por besohet se gjithçka do të bëhet pak çaste përpara shkelmimit të topit nga mesi i fushës mes dy skuadrave, madje, mendohet se do të jetë pikërisht Alban Bushi ai që do ta bëjë këtë shkelmim, një gjest simbolik ky në botën e futbollit. “Loku”, me 65 ndeshjet dhe 14 golat e tij me fanellën kuqezi, është padyshim një nga legjendat më të mëdha të futbollit shqiptar

Alban Bushi e ka nisur karrierën me fanellën kuqezi në sfidën kundër Maltës në La Valeta, më 10 tetor të vitit 1995, një ndeshje në të cilën Shqipëria u mund 2-1, por “Loku” shënoi golin e tij të parë që në sfidën e parë me kombëtaren. Ky do të ishte dhe fillimi i udhëtimit të gjatë të “Lokut” me fanellën kuqezi. Por goli i dytë do të vonojë disi. Pas 9 ndeshjes, më konkretisht në sfidën e tij të 10-të me Shqipërinë, Bushi do të arrijë të shënojë. Do të jetë triumfi në miqësoren historike të Antalias, ku Shqipëria do të mposhtte 1-4 Turqinë, një nga fitoret më të thella jashtëfushe të kombëtares sonë. Do të jetë 21 janari i vitit 1998, plot tre vjet pas golit të parë. Në po atë vit, Bushi do të shënojë edhe në portën e Qipros në humbjen 2-3 në Nikosia, më 19 gusht, si dhe 2 muaj më pas në Oslo në barazimin 2-2 kundër Norvegjisë. Më 4 shtator të vitit 199, Bushi do të realizojë dhe dygolëshin e tij të vetëm me Shqipërinë. Do të jetë sfida kundër Letonisë e luajtur në “Qemal Stafa”, ndeshje që do të përfundojë 3-3. Por goli më me peshë për zemrat e tifozëve shqiptarë do të regjistrohet më 11 tetor të vitit 2000, kur në Tiranë kuqezinjtë mposhtën 2-0 Greqinë. Një tjetër gol ndaj Turqisë, kësaj radhe në miqësoren e fituar 2-0 në Gaziantep në 25 prill të vitit 2001. Golin e nëntë lojtari “globetrotter” kuqezi do ta shënojë kundër Vietnamit në turneun e Umbrias më 14 shkurt të vitit 2003. Më pas do të vijnë edhe golat kundër Gjeorgjisë, Estonisë dhe Islandës, për të mbërritur te goli më i rëndësishëm, ai kundër Kazakistanit në Almati, që do të regjistronte dhe fitoren e parë të Shqipërisë në një transfertëc të vlefshme për eliminatoret e një botërori apo europiani. Rrjeta e fundit e tundur me Shqipërinë do të shënohet në miqësoren kundër Azerbajxhanit, e fituar 2-1 nga kuqezinjtë.

Në karrierën e tij 21-vjeçare, Bushi ka veshur 14 fanella të ndryshme klubesh, mes të cilave Tiranën, Liteksin apo Trabzonsporin. “Loku” në nivel klubesh ka zhvilluar 351 ndeshje për një total prej 118 golash.

Golat kuqezi

Data Ndeshja Rel Gola

10-8-95 Maltë – Shqipëri 2-1 (1)

21-1-98 Turqi – Shqipëri 1-4 (1)

19-8-98 Qipro – Shqipëri 3-2 (1)

14-10-98 Norvegji – Shqipëri 2-2 (1)

04-9-99 Shqipëri – Letoni 3-3 (2)

11-10-00 Shqipëri – Greqi 2-0 (1)

25-4-01 Turqi – Shqipëri 0-2 (1)

14-2-03 Vietnam – Shqipëri 0-5 (1)

10-9-03 Shqipëri – Gjeorgji 3-1 (1)

15-11-03 Shqipëri – Estoni 2-0 (1)

31-03-04 Shqipëri – Islandë 2-1 (1)

13-10-04 Kazakistan – Shqipëri 0-1 (1)

17-8-05 Shqipëri – Azerbajxhan 2-1 (1)

Bilanci

65 ndeshje 14 gola

Karriera me klubet

351 ndeshje, 118 gola

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›