Euro U-17, Portugali – Francë, finalja e Kampionatit Europian “Shqipëri 2025”

TIRANË, 30 maj /ATSH/ Portugali – Francë është finalja e madhe e Kampionatit Europian U-17 “Shqipëri 2025”, që do të luhet më 1 qershor në “Arenën Kombëtare”.
Portugalia siguroi vendin në finale pasi mundi Italinë në gjysmëfinale pas goditjeve nga pika e penalltisë, me rezultatin 4-3.
Koha e rregullt përfundoi në barazim 2-2 dhe ndeshja u vendos nga penalltitë, ku italianët ishin më të saktë.
Italia e nisi më mirë ndeshjen dhe mori avantazhin në minutën e 20-të me Samuele Inacio. Portugalia barazoi pas tetë minutash me Stevan Manuel dhe pjesa e parë u mbyll 1-1.
Në fraksionin e dytë, Italia rimori avantazhin në minutën e 59-të me Alessio Baralla, por Portugalia reagoi sërish dhe barazoi me Tomas Soares në minutën e 67-të.
Pasi rezultati nuk ndryshoi deri në fund, skuadrat ju drejtuan penalltive, ku portieri portugez ishte vendimtar me pritjet e tij, duke i dhuruar Portugalisë kualifikimin në finalen e madhe ndaj Francës.
Ndërsa Franca mundi në gjysmëfinale Belgjikën me rezultatin 3-2 dhe siguroi finalen e madhe të 1 qershorit.
Në stadiumin “Elbasan Arena” u zhvillua një ndeshje shumë e bukur. Pjesa e parë ishte shumë e luftuar dhe ishte Belgjika që krijoi më shumë raste të pastra për shënim.
Në fund të pjesës së parë u shënuan dy gola. Franca mori avantazhin me Abdoulaye Camara në minutën e 42-të, ndërsa në minutat shtesë Belgjika barazoi me anë të një penalltie, që u kthye në gol nga Noah Fernandez. Pjesa e parë u mbyll 1-1.
Fraksioni i dytë nisi më mirë për Francën, që shënoi dy gola të shpejtë me Rudy Matondo dhe Djyilian N’Guessan, duke e çuar rezultatin në 3-1.
Belgjika rihapi ndeshjen në minutën e 79-të me Axl Wins, i cili shënoi një eurogol nga goditja e dënimit. Belgët luftuan deri në fund për të barazuar, por pa sukses. Ndeshja u mbyll 3-2 për Francën.
Portugali - Itali, Kampionati Europian “Shqipëri 2025” Foto: Agim Dobi 1 nga 8