Euro në shifra rekord
Ata persona të cilët kanë marrë kredi në monedhën europiane euro, do të jenë ata që do të humbasin dhe që do të preken më tepër prej shvlerësimit të lekut shqiptar. Ndërsa ata që eksportojnë mallrat e ndryshme në vendet e eurozonës do të jenë përfituesit e vlerësimit të euros. Në kursin e këmbimit valuator, një euro shkëmbehet me 142 lekë, një shifër e cila është përcaktuar si rekord kundrejt një monedhe vendase sipas specialistëve të ndryshëm. Ndërkohë që kjo kuotë e vlerës së euros e cila përcaktohet si mjaft e lartë, vazhdon të qëndrojë e njëjtë pothuajse për disa muaj me radhë. Rritja e kuotave të monedhës së përbashkët evropiane sjell në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe shtrenjtimin e kredive në euro për të gjithë kredimarrësit që kanë preferuar të marrin kredi në monedhën europiane.
Edhe pse Banka e Shqipërisë I’u ka bërë thirrje herë pas here shqiptarëve se kredia duhet të merret në monedhën vendase, zgjedhja e këtyre të fundit diktohet nga dy faktorë. Së pari bankat kreditojnë më lehtë në euro, pasi në pjesën më të madhe të rasteve rrisin fitimet për shkak të kursit.
Një tjetër problem është edhe fakti se kreditë afatgjata shërbejnë për blerjen e kapitaleve të paluajtshme, shtëpi, të cilat firmat e ndërtimit i shesin me euro. Një tjetër faktor i vlerësimit të euros kundrejt lekut shqiptar sipas specialistëve është edhe fakti se çdo fillim viti, kompanitë e huaja që veprojnë në Shqipëri dhe që kanë fitime prej miliona eurosh në këtë periudhë të vitit, mbyllin bilancet dhe transferojnë fitimet e tyre jashtë vendit në kompanitë mëmë, duke zhvlerësuar përkohësisht lekun.