E Shtunë, 31 Tetor 2026

Euro, në ulje duke u ngjitur/ Monedha evropiane, një ditë e pastabilizuar ndaj lekut

Euro vazhdon të mbetet e paqëndryeshme. Ka qenë një ditë e veçantë në tregun e këmbimit valutor pasi Euro ka qenë në ndryshime të vazhdueshme duke humbur apo fituar pikë nga momenti në moment. Ndryshimet kanë qenë shumë të vogla, por të shpeshta. Euro ka lëvizur me 1 deri në 2 pikë në vlerat e saj. Një rritje të lehtë kundrejt lekut ka pësuar edhe dollari i cili është rritur me pothuajse një pike .Specialistët e ekonomisë e shohin në këndvështrime të ndryshme rritjen e euros.
Kështu dekania e fakultetit Ekonomik, Luljeta Minxhozi shprehet se ndryshimi i kursit në vendin tonë varet nga faktorë të shumtë ekonomikë. Ndër të cilët më vendimtarët ishin të ardhurat prej emigrantëve si dhe efekti psikologjik sipas të cilit shumë persona po kthejnë kursimet e tyre në euro.
Ndërkohë përsa i përket faktit të ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë për rregullimin e kursit dekania u shpreh se ky ndryshim ishte diçka normale dhe ndërhyrja duhet të bëhet vetën nëse kjo luhatje do të vazhdojë më gjatë.
Një opinion krejt të ndryshëm jep dekani i fakultetit Ekonomik, Omer Stringa përsa i përket ndërhyrjes së shtetit në ekuilibrimin e tregut valutor.
Ai u shpreh se qeveria dhe Banka e Shqipërisë duhet të ndërhyjnë menjëherë në rregullimin e kursit të këmbimit. Pavarësisht këndvështrimeve ajo që është e sigurt është se euro po vazhdon të forcojë pozitat e saj kundrejt lekut nga dita në ditë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›