Eurodeputetët: Dialog për reformat
Disa prej deputetëve të Parlamentit Europian kanë reaguar dje ndaj vendimit të marrë nga Kolegji Zgjedhor në Shqipëri, për çështjen e Bashkisë së Tiranës. Në një prononcim për “ABCNews” eurodeputeti Nikolaos Chountis tha se “tani kemi një vendim të instancave gjyqësore. Uroj dhe shpresoj, që ky konflikt për rezultatin e zgjedhjeve të mbarojë në një moment. Duhet të mbarojë, sepse nuk mund të vazhdojë kështu pa fund. Shpresoj që konflikti të mbarojë për t’ia lenë vendin një faqeje të re, apo një kapitulli të ri”. Sakaq, Eduard Kukan mendon se është lajm i mirë që procesi zgjedhor mbaroi, por nga ana tjetër BE dëshiron të shohë që fundi i këtij procesi të sjellë qetësi në situatën politike në Shqipëri dhe këtë nuk po e sheh ende. “Ajo për të cilën Shqipëria ka nevojë pas këtyre zgjedhjeve, është që të gjithë të njohin rezultatin dhe të rifillojë jeta normale politike në vend”, u shpreh Kukan. I pyetur në lidhje me kërkesën e PS, për komisionin e Venecias sa i takon Tiranës, ai tha se “Komisioni i Venecias ka si rol për ‘tu shprehur mbi interpretimin e legjislacionit ose për të dhënë një opinion lidhur me të. Mendoj, se kur ky Komision të shprehet mbi zgjedhjet lokale në Shqipëri, duhet të jetë elementi i fundit për të normalizuar procesin zgjedhor në Shqipëri. Vendimi i Kolegjit Zgjedhor është vendim përfundimtar, por ky opinion mund të përdoret për përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme, pasi ato do të mbahen për dy vjet”, u shpreh Kukan.