Ruçi: Bashkinë e ka të hapur, por s'e njohim
Bisedoi: Alfred Peza
Kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi analizon zhvillimet politike në emisionin “Debat” në televizionin “Vizion Plus”.
Zoti Ruçi, cili ishte kryeproblemi i këtij procesi, sipas jush?
Problemet janë të shumta. Ato s’janë elementare, por janë thelbësore. Kur them që janë thelbësore, në radhë të parë ato fillojnë nga mendimi që ka mazhoranca aktuale e nga okupimi dhe kapja që ajo u ka bërë institucioneve të shtetit të së drejtës. Këtu kam parasysh që vërtet Shqipëria i ka të gjitha institucionet sipas Kushtetutës së vendit, por këto institucione janë kapur. Janë kapur nga një mazhorancë nëpërmjet manipulimit dhe deformimit që ajo u ka bërë institucioneve të këtij vendi, në radhë të parë Kushtetutës së vendit, në radhë të dytë Parlamentit të vendit, nga prodhohen këto institucione, duke ndryshuar në mënyrë të njëanshme mënyrën e përzgjedhjes së tyre, mënyrën e votimit të tyre, duke mos qenë aspak bashkëpunuese, duke ushtruar një tutelë permanente ndaj këtyre institucioneve që në fund të fundit ato dalin jashtë funksionit të tyre kushtetues, siç vërtetoi dhe veprimet e fundit si të KQZ-së, që është një institucion kushtetues, ashtu dhe Kolegji Zgjedhor, me vendimet njëpasnjëshme që u ndërmorën, që ishin haptazi joligjore, jo të drejta, që në vend të jepnin drejtësi dhanë padrejtësi, në vend që të frenonin gjithë atë shkallë të lartë manipulimi që u zhvillua qysh nga herët. Kur themi qysh nga herët nuk duhet të shikojmë thjesht vetëm numërimin, apo vendimet antiligjore të komisionit Ristani, apo vendimet antiligjore të gjykatës së Tomës apo të Sashenkave. Do të thosha, vetëm në Tiranë mund të them pa ekzagjeruar se në listat e zgjedhjeve janë importuar mbi 40 mijë zgjedhës.
A keni prova për këtë?
Sigurisht që prova kemi, por çështja është se provat janë për ata që kanë sy t’i shikojnë dhe veshë t’i dëgjojnë, dhe të ndërmarrin veprime konkrete për të vënë përpara përgjegjësisë ata që bëjnë këtë shkallë manipulimi. Këtu unë kam jo pak prova, në një dosje kam 10 mijë emra.
I keni të vërtetuara këto emra për këtë skemë manipulimi të zgjedhjeve në Tiranë, siç thoni, sepse bëhet fjalë për një megaskandal nëse kjo vërtetohet?
Absolutisht, për mua është një megaskandal. Nëse në këtë vend duhet të fillojë korrigjesa vërtet për zgjedhje të lira dhe demokratike, duhet të fillojë nga dy elemente, nga listat dhe nga manipulatorët e këtyre listave, dhe këta manipulatorë kanë emra konkretë. Unë akuzoj drejtpërdrejt zëvendësministrin e Brendshëm, Ferdinand Pone, akuzoj drejtpërdrejt drejtorin e Përgjithshëm të Gjendjes Civile, Armand Telitin, i cili mund të rrëfejë sa të dojë te bashkëshortja e tij që po shpëtoi nga burgu, s’është për t’u dënuar kurrë.
Çfarë ishte kjo rrëfimi i gruas?
Po, gojët e liga, në Tiranë apo në Durrës, thonë se Teliti i ka thënë bashkëshortes se po shpëtova kësaj radhe nga burgu, s’kam për t’u futur më në burg.
Përveç dublimit të emrave, skema që ju pretendoni e manipulimit të rezultatit në Tiranë ka elemente të tjera dhe prova konkrete?
Elementi i dytë janë kartat e identitetit false, të cilat edhe për këto prokuroria e vendit duhet të kapë menjëherë provën dhe jo të lërë që të zhdukë provën siç zhdukën provat.
Për 15 mijë emrat e dubluar ju paraqitët listat dhe kjo është një provë sigurisht. Për kartat e identitetit keni prova dhe cili ishte elementi tjetër i skemës manipulative, sipas jush?
Lidhur me kartat e identitetit ju dini se çfarë ka ndodhur në Tiranë, ku vëzhguesit tanë, komisionerët tanë, kanë kapur në mënyrë vizuale kartat false dhe si ia kanë mbathur apo aq pak sa kapëm ne një apo dy. Çfarë rëndësie ka kjo? Ky fenomen është permanent dhe ka qenë në zgjedhjet 8 Majit. Ka vetëm një mënyrë kapje, kapja dhe hapja, dhe bllokimi, dhe hetimi i listave të zgjedhësve në materialet zgjedhore nga ana e prokurorisë së vendit. Elementi i tretë që ju thoni, janë paret e korrupsionit të pushtetarëve, që nga të gjitha llogaritë e bëra janë jo të pakta, por mbi 40 milionë euro të hedhura për të kompromentuar, për të blerë, për të manipuluar, për të falsifikuar rezultatin e Tiranës.
40 milionë euro janë shumë para, janë 40 kilometra autostradë...
Sigurisht që janë shumë para, por kur dëgjon që edhe në sekondën e fundit thirret anëtari i gjykatës, e di që pas kësaj do të më thoni kush është dhe si është thirrur anëtari i gjykatës së Kolegjit dhe i thuhet se ke 500 mijë euro për një vendim, sikur të jetë e vërtetë kjo i thonë herë 5, i thonë 2 milionë e gjysmë euro vetëm për një vendim.
Për vendimin e fundit e keni fjalën?
Sigurisht jo vetëm për të fundit. Fillon që nga vendimi i parë i Tomës dhe deri te vendimi i fundit i Sashenkës. E shkruar e zeza mbi të bardhë është Kodi Zgjedhor dhe gjyqtari bën sikur nuk e shikon, bën sikur lexon apo e lexon së prapthi. Shifrat janë kokëforta.
Kolegji Zgjedhor në vendimmarrjen për Tiranën e njeh Lulzim Bashën si kryetar të Bashkisë së Tiranës. A do ta njihni apo jo rezultatin e dhënë nga Kolegji Zgjedhor për Tiranën?
Nuk bëhet fjalë për ta njohur rezultatin e Tiranës, pasi pyetja juaj ka dy përgjigje nga ana jonë. Një përgjigje është përgjigje pozitive që të pranojmë vendimin e Kolegjit dhe bashkë me të të pranojmë dhe manipulimin. Për këtë jemi dakord. Kurse përgjigjja jonë nuk është kjo. As misioni ynë s’është ky dhe as e vërteta s’është kjo. E vërteta cila është dhe cila është përgjigjja jonë? Përgjigjja jonë është kundërshtimi, përgjigjja jonë është mospranimi. Nëse ne nuk kundërshtojmë, nëse ne pranojmë pikërisht këtë të parë dhe të dëgjuar, atëherë bashkë me të do të pranojmë dhe mungesën e demokracisë në Shqipëri, do të pranojmë padrejtësinë në Shqipëri. Vlerë është të pranosh drejtësinë, nuk është vlerë të pranosh padrejtësinë.
Pra, s’e pranoni vendimin e Kolegjit?
Nuk bëhet fjalë për ta pranuar, se ky s’do të ishte jo vetëm shfaktorizim i opozitës, por kjo do të ishte dhe një tradhti e vlerave demokratike, kjo do të ishte një tradhti për integrimin e Shqipërisë, ky do të ishte një shtrembërim i madh i europianizmit të vendit. Si mund ta pranojmë ne këtë?
Si përfundim, zoti Ruçi, do ta njihni Lulzim Bashën si kryetar bashkie në Tiranë?
Tashmë ne s’do t’i marrim çelësin e Bashkisë, derën e Bashkisë e ka të hapur. Sigurisht që ai është “legjitim” sipas këtij vendimi, të kësaj gjykate. Pra, ky manipulim që Lulzim Basha dhe Sali Berisha bëri për Tiranën u “pastrua” nga ky vendim i këtij Kolegji të kastruar. Por, kjo s’do të thotë që ne do të dalim dhe të bëjmë barrikadë për të mos u futur Lulzim Basha. Ai rrugën e ka, derën e bashkisë e di, le të vazhdojë, por duhet të dijë, ka vjedhur një mandat dhe është i shpallur fituesi humbës në krye të bashkisë, moralisht, politikisht dhe institucionalisht si do të funksionojë kjo? Kjo është e drejtë e tij.
Konkretisht, si ta kuptojmë rezistencën tuaj?
Unë ju thashë se, nëse fola për pjesëmarrjen e institucioneve, ne nuk do të reshtim së shfrytëzuari dhe prokurorinë e vendit, për të gjitha problemet që ju parashtrova në pjesën e parë. Ne nuk do të reshtim edhe në Gjykatën Kushtetuese, me gjithë okupimin që i ka bërë kësaj gjykate Sali Berisha me votimet e hapura për të çuar vetëm ata që ai mendon se i ka të tijtë. Ne nuk do të reshtim edhe me institucione të familjes europiane, ku ne kërkojmë të integrohemi. Pra, do t’i shfrytëzojmë që nga Brukseli, Strasburgu apo Venecia, pa përjashtim të gjitha.
Si? Keni ndonjë formulë?
Formula s’është magjike, këtu është, brenda në Shqipëri duhet të gjendet, por kërkohet refleksion. Çfarë do të thotë? Që ajo që s’u bë më 2009, që u mbingarkuan më 2011 të bëhen tashmë, por të bëhen prej së vërteti. Çfarë do të thotë? Nëse flasim për manipulim të listave, nëse flasim për karta identiteti false, këto kanë emra konkretë. Le të dalë kundërshtari ynë politik dhe të japë i hapur për prokurorinë e vendit dhe të thotë i merrni provat, ja ku i keni, i hetoni, i verifikoni dhe kushdo emër i përveçëm që qëndron pas këtyre fakteve dhe argumenteve të vihet në bankën e të akuzuarve, pavarësisht nga titulli që ka, ministër, zv/ministër, drejtor i përgjithshëm, kryetar i KQZ-së etj. Këtu fillon hapi i parë. Hapi i dytë, nëse ka vërtetë kuptim dhe vlerësim është shkarkimi i menjëhershëm i kryetarit të KQZ-së për këtë maskaradë që bëri në zgjedhjet e 8 Majit dhe jo vetëm në ato, për të mos filluar nga 2009-a. Hapi i tretë për këtë padrejtësi në mes të ditës që dhanë këta gjyqtarë, që venitën dhe shpresën e më skeptikut në Shqipëri për ekzistencën e drejtësie. Unë do t’i bëja një apel KLD-së, Presidentit të vendit, zëvendëskryetarit të KLD-së, i cili në vend, është e drejtë të tij, të merret me aleanca dhe me çështje të tjera kombëtare apo jokombëtare, është punë e tij mbi të gjitha të merret, të vëzhgojë, të ngrejë zërin për padrejtësinë që japin gjyqtarët, t’i inspektojë, t’i marrë dhe t’i analizojë në KLD, se ndryshe përse është ky këshill dhe t’i ndëshkojë. Nëse duam vërtet të kthejmë kthesa topi është në derën e kryeministrit Berisha...