E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Sot për sot, s’ka asnjë lloj dialogu të mundshëm

Mos u mjaftoni me predikimin qëllimmirë të radhës. Ky ishte apeli që u bëri dje Edi Rama, përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar, teksa komunikoi me median rreth vendimmarrjes së Kolegjit Zgjedhor për kryeqytetin. Në vlerësimin e Ramës, me arsyetimin idiotik të Kolegjit Zgjedhor, u konsumua plotësisht vepra e vjedhjes së zgjedhjeve të Tiranës me vendim gjykate. “Drejtësia ka vdekur në Shqipëri. Pushteti gjyqësor ka marrë fytyrën e qeverisë dhe është bërë pjesë e maskaradës antidemokratike të Saliut”, tha Rama. Sipas tij, çka ndodhi me zgjedhjet e Tiranës, jo vetëm provoi katërcipërisht që Saliu zgjedhjet i vjedh nuk i fiton, por më keq akoma, tregoi se sa i shurdhët është veshi i pushtetit të vjedhur ndaj të gjitha fjalëve qëllimmira të komunitetit ndërkombëtar. “Populli shqiptar ka sot nevojë të dëgjojë shkoqur të vërtetën dhe vetëm të vërtetën nga goja e miqve e partnerëve të tij të çmuar. Ata s’janë dhe s’mund të bëhen palë me vjedhësit e zgjedhjeve, me gjykatësit e kapur, me qeverinë që ka braktisur përfundimisht shinat e Europës demokratike, duke tradhtuar hapur e shkelur dhunshëm vlerat, parimet, standardet e integrimit në BE e të anëtarësimit në NATO”, u shpreh Rama. Në cilësinë e kreut të opozitës, Rama garantoi ndërkombëtarët se opozita e bashkuar shqiptare do të jetë vendosmërisht zëdhënëse e vlerave, parimeve, standardeve të integrimit në BE e të anëtarësimit në NATO. “Kursi ynë i ri politik do të jetë shprehje e plotë dhe kuptimplotë e domosdoshmërisë për ta futur Shqipërinë në rrugën e shumëkërkuar të funksionimit të demokracisë. Ky kurs do të bazohet plotësisht në aspiratën e madhe europiane të qytetarëve shqiptarë, në adresimin konkret të prioriteteve të përcaktuara qartë prej Komisionit Europian dhe në domosdoshmërinë për të rivendosur rendin e shkallmuar kushtetues”, premtoi Rama. Por duam ta bëjmë fare të qartë, shtoi ai, pa asnjë ekuivok, se ne refuzojmë t’i nënshtrohemi diktaturës së faktit të kryer dhe nuk do të bëhemi pjesë e çfarëdo farse të ideuar apo organizuar nga Saliu gjoja si dialog, po në fakt vetëm për të vazhduar të gënjejë e të tallet me popullin shqiptar e me komunitetin ndërkombëtar. Në këndvështrimin e Ramës, kryeministri Berisha është dhunuesi i pakorrigjueshëm i Kushtetutës, i zgjedhjeve e i shtetit të së drejtës në Shqipëri. “Me pushtetin e tij të vjedhur, që grabiti ditën për diell, në sytë e të gjithë shqiptarëve e nën hundën e ndërkombëtarëve, edhe zgjedhjet në Tiranë, që manipulon çdo gjyq të të korruptuarve të vet, që sulmon e kërcënon prokurorinë për çdo akuzë të ngritur mbi fakte të njohura botërisht, që burgos demonstrues opozitarë për gjuajtje me gurë e dekoron ata që vrasin demonstruesit me pushkë, që mbyll përditë shtigjet e lirisë së shprehjes në shtyp e në shoqëri, nuk ka, sot për sot, asnjë lloj dialogu të mundshëm”, nënvizoi Rama. Për të mundësuar një dialog serioz në kushtet kur qeveria ka vjedhur haptaz opozitën, duhet sipas tij, fillimisht të pranohet publikisht se ajo që ndodhi me zgjedhjet e 8 majit në Tiranë ishte jashtë çdo standardi demokratik ndërkombëtar dhe si e tillë nuk duhet të përsëritet më kurrë. Sigurisht këtë nuk presim ta dëgjojmë nga Saliu, tha ai, po nga miqtë e partnerët ndërkombëtarë, të cilët në sytë tanë përfaqësojnë botën e ëndërruar ku zgjedhjet nuk vidhen, ku gjykatat nuk dhunojnë barazinë para ligjit, ku media nuk përdhunohet, ku opozita nuk trajtohet si armik i brendshëm i vendit. Vetëm pastaj, shtoi Rama, mund të flitet jo thjesht për dialog, po për një paketë të plotë reformash e garancish kushtetuese, ligjore e institucionale, të cilat adresojnë thelbësisht, jo për sy e faqe, aspiratën europiane të qytetarëve shqiptarë dhe prioritetet e përcaktuara nga Bashkimi Europian për Shqipërinë. “Këtë paketë s’mund ta garantojë Saliu, po vetëm komuniteti ndërkombëtar”, këmbënguli Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›