E Diel, 1 Nëntor 2026

Eurodeputetët: Skandal cilësimi i presidentit Topi si puçist

Share

Eurodeputetët Kukan, Bostinaru dhe Fajon kanë vlerësuar rolin që ka mbajtur Presidenti Bamir Topi në ngjarjet e janarit të këtij viti, por nga ana tjetër e kanë cilësuar skandaloze tentativën për ta përfshirë atë në skenarin e një puçi shteti, siç bëri në fakt kryeministri i vendit Sali Berisha dhe deputetët e tij në komisionin që ngritën për këtë ngjarje. Në takimin e eurodeputetëve me kreun e shtetit mësohet se ndër të tjera është prekur dhe çështja e 21 janarit, që u rikthye në debatin e ditës pas deklaratave të bëra nga kreu i të djathtëve të PE-së, Daul. Kukan në fjalën e tij ka vlerësuar rolin ekuilibrues dhe të paanshëm të Presidentit, pavarësisht presioneve politike. Ai falenderoi Presidentin për qëndrimet e tij gjatë krizës së fillim-vitit, një periudhe që ai e quajti tejet të vështirë për Shqipërinë dhe të rrezikshme për Presidentin. Ndërsa nga ana e tij përfaqësuesi i socialdemokratëve në PE, Bostinaru, përveç vlerësimit të rolit të Presidentit në atë periudhë, u shpreh i skandalizuar nga tentativat e disa zërave, siç u shpreh ai, për ta përfshirë Presidentin në një “coup d’êtat” (puç shteti). Si Kukan, ashtu edhe Bostinaru vlerësuan thirrjet e vazhdueshme të Presidentit për t’i dhënë fund konflikteve politike dhe theksuan që fajtore për krizën politike 2-vjeçare dhe kohën që Shqipëria ka humbur në procesin e integrimit, ishin aktorët kryesorë të partive politike. Nga ana e saj eurodeputetja Fajon vlerësoi paraqitjen e situatës që bëri Presidenti dhe theksoi rolin që duhet të luajë në demokratizimin e shoqërisë rinia shqiptare, tek e cila ajo tha se kish parë një energji dhe dëshirë të madhe për të dhënë kontribut në fusha të ndryshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›