E Diel, 1 Nëntor 2026

Euroja dhe dollari humbasin terren ndaj lekut gjatë javës

TIRANË, 17 tetor /ATSH/ Leku shënoi forcim në raport me euron dhe dollarin amerikan gjatë javës 12-17 tetor, ndërsa paundi britanik u mbiçmua lehtë kundrejt monedhës vendase.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, dollari amerikan u këmbye në fund të javës me 81,20 lekë, nga 81,88 lekë në fillim të saj, duke humbur 0,68 lekë.

Edhe euroja shënoi rënie, duke u këmbyer me 91,32 lekë, nga 91,61 lekë në fillim të javës, me një ulje prej 0,29 lekësh.

Në të kundërt, paundi britanik u ngjit në 108,37 lekë, nga 108,25 lekë në fillim të javës. Franga zvicerane u këmbye me 98,33 lekë, nga 98,56 lekë, duke shënuar rënie me 0,23 lekë.

Lëvizjet e kursit të këmbimit zhvillohen në një periudhë kur presionet mbi euron në tregun vendas janë forcuar, ndërsa Banka e Shqipërisë ka vijuar blerjet e valutës për të frenuar mbiçmimin e mëtejshëm të lekut.

Gjatë viteve 2024-2025, Banka e Shqipërisë bleu mbi 2 miliardë euro në tregun e brendshëm valutor. Ndërkohë, në gjysmën e parë të vitit 2026, blerjet arritën në 664 milionë euro, një nivel rekord për këtë periudhë.

Ndërhyrjet në tregun valutor synojnë të zbusin luhatjet e kursit dhe të frenojnë forcimin e mëtejshëm të lekut. Blerjet e valutës kontribuojnë gjithashtu në rritjen e rezervës valutore dhe injektimin e likuiditetit në ekonominë vendase.

Sipas të dhënave të shtatorit, rezerva valutore e Shqipërisë arriti në rreth 8,4 miliardë euro, niveli më i lartë historik, me një rritje prej 16% krahasuar me një vit më parë.

/e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›