Eurokomisioneri Fyle nesër viziton Shkupin

Komisioneri për zgjerim në Bashkimin Evropian, Stefan Fyle, do të vizitojë nesër Maqedoninë. Vizita zhvillohet në kuadër të dialogut për anëtarësim të Maqedonisë me Bashkimin Evropian, të nisura në mars të këtij viti. Ato përqendrohen në fushën e sundimit të së drejtës, reformave në administratë, lirisë së mediave, ekonomisë së tregut, si dhe reformën zgjedhore.
Çështja e emrit nuk diskutohet pasi për këtë Maqedonia duhet të arrijë zgjidhje me Greqinë. Por nga ana tjetër vizita e komisionerit Fyle në Maqedoni vjen në një kohë kur koalicioni qeverisës mes VMRO-DPMNE dhe partisë shqiptare BDI ka pasur çarje.
Projekt ligji i VMRO-DPMNE-së për zhdëmtimin e forcave maqedonase të sigurimit që kanë pësuar në konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni, prej kohësh po kundërshtohet nga partneri i saj në qeveri Bashkimi Demokratik për Integrim, e ndërsa shumë analistë theksojnë se zgjedhjet e parakohshme të organizuara nga një qeveri teknike do të ishte zgjidhja më e mirë për daljen nga kjo krizë politike në të cilën është futur Maqedonia.