E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eurokriza borxhet zhytin edhe Irlanden

Aftësia e kreditimit të Irlandës si një mjet për të shpëtuar nga kriza financiare është zero. Vlerësimi vjen nga Agjencia Ndërkombëtare “Moody's”, e cila thotë se pavarësisht përpjekjeve të Dublinit për të zbutur krizën e borxheve, titujt e borxhit janë gati në nivel zero, dhe të pavlefshme për bankat investuese.

Arsye për këtë vendim është rritja e shqetësimit, se Irlanda e zhytur në borxhe mund të ketë nevojë për një paketë të dytë shpëtimi pasi dhe perspektiva mbetet negative. Më parë nota kaq të ulëta vlerësimi kanë marrë dhe Greqia e Portugalia, ndërsa bursat europiane  kanë lëshuar sinjale të qarta që dhe Italia e Spanja përballen me probleme. 

Sipas kryeministrit spanjoll, Zapatero përgjigja europiane për krizën duhet të jetë e përbashkët dhe e shpejtë. Një vizion ky, i pranuar dhe nga qeveria në Romë edhe për faktin se Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kërkuar nga Italia të marrë masa të vendosura për reduktimin e borxhit shtetëror. Defiçiti buxhetor italian duhet të zbresë deri në vitin 2012 nën 3 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto, kërkoi FMN-ja në raportin e saj më të fundit për këtë vit.

Aktualisht defiçiti italian kap vlerën e 4,6%. Ka shenja rimëkëmbjeje të ekonomisë italiane, të nxitura këto nga eksporti, megjithatë borxhi publik mbetet tepër i lartë dhe rritja ekonomike e kufizuar, thekson FMN. Italia ditët e fundit është zhvendosur në qendër të diskutimit të Eurozonës. Ministrat e Financave të BE-së ranë dakord të pengojnë me çdo kusht shtrirjen e krizës ekonomike në ekonominë e tretë më të madhe brenda BE-së.

Delina Bitraku Azhornuar së fundi ( e mërkurë , 13 korrik 2011 )

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›