E Diel, 1 Nëntor 2026

U falet toka. Marrin tapite per pronat e shtetit

Të gjithë shqiptarët që kanë marrë në përdorim trojet e ish-ndërrmarjeve bujqësore pas ‘92-shit, do të bëhen pronarë të ligjshëm të tyre pa paguar asnjë tarifë. Kushti i vetëm për të siguruar tapinë është që toka të jetë shfrytëzuar nga përfituesit ose të jetë e banuar prej tyre pas marrjes në përdorim.

“E kanë tokën bujqësore në përdorim dhe e shfrytëzojnë atë, por kanë mungesa në plotësimin e dokumentacionit të përdorimit ose të pronësisë. Janë banorë të komunës apo bashkisë në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe në asnjë rast nga data 1.10.1992 nuk kanë ndryshuar vendbanimin e tyre sipas regjistrit të gjendjes civile”-tha Enkelejd Alibeaj, deputet i PD-së.

Kryetarët e komunave dhe bashkive do të identifikojnë përfituesit dhe do të shpërndajnë tapitë. Aktualisht nuk ka ende një hartë apo një inventar shtetëror se sa është sipërfaqja e tokës së lirë bujqësore.

“Administrata e komunës së bashku me kryeplakun apo kryesitë e fshatrave do të bëjë evidentimin e përfituesve dhe të sipërfaqeve të cilat më vonë do të kontrollohen nga administrata e komunës dhe miratohen me vendimin e këshillit të komunës”-tha Majlinda Bozgo, Komisioni Qeveritar i Tokës.

“Kemi inventarin e plotë të subjekteve të sipërfaqeve dhe të koordinatave të tyre që do të preken nga ky ligj. E dispononi apo jo?”-tha kryetari i komisionit, Ilir Rusmali.

“Komisioni qeveritar i tokës, nuk e disponon një inventor të tillë”-tha Bozgo.

Megjithë ndryshimet në ligj, nuk përfitojnë prej tij të gjithë ata persona që përdorin një tokë që ka pronar, ose që është në proces shqyrtimi nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Ndryshimet ligjore që u miratuan në Komisionin e Ligjeve, parashikojnë edhe kompensimin financiar për të gjithë ata që e kanë paguar një herë tarifën e marrjes në pronësi.

Elona Gjylmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›