E Shtunë, 31 Tetor 2026

Europa e ngerthyer nga bora dhe ngrica deri ne fundvit

Shkencëtarët parashikojnë dimra të tillë edhe në të ardhmen

Shumë udhëtarë i kaluan Krishtlindjet në aeroportet e Parisit dhe Brukselit, për shkak se moti me ngrica vazhdon të shkaktojë probleme në transportin e Europës Perëndimore. Në vende të tjera të Europës, udhëtarët kanë mbetur të bllokuar në trena, tragete apo janë strehuar në barakat e ushtrisë. Autoritetet në aeroportin “Charles de Gaulle” të Parisit thonë se reshjet e dëborës dhe ngricat kanë qenë të jashtëzakonshme, gjë që ka çuar në anulimin e rreth 400 fluturimeve ditën e premte. Ata kanë siguruar ushqime, shtretër dhe lodra për pasagjerët që prisnin të udhëtonin. Me të njëjtat probleme është përballur edhe aeroporti i Brukselit. Ushtria belge dhe Kryqi i Kuq siguruan shtretër për pasagjerët e bllokuar. Rrugët e transportit në mbarë Europën Perëndimore janë prekur nga ngricat. Në Gjermani janë njoftuar qindra aksidente rrugore. Parashikimet e motit flasin për një përkeqësim të motit, duke sjellë ndoshta probleme të tjera në ditët në vazhdim.

Sipas studiuesve të motit, koha me ngrica dhe me reshje të mëdha dëbore do të vazhdojë edhe në muajt e parë të vitit, kryesisht në të gjithë Europën Perëndimore dhe Veriore. Madje, shumë prej tyre parathonë se ky do të jetë dimri më i ftohtë dhe më me ngrica që nga ai i vitit 1890. Temperaturat priten që për një kohë të gjatë të qëndrojnë nën zero natën gjatë periudhës së festave të fundvitit dhe ditën në disa zona të shënohet një ngritje e lehtë. Shkencëtarët kanë bërë një lidhje mes kësaj klime shumë të ftohtë dhe këtij dimri shumë të ashpër në Europë dhe shkrirjes së akujve në Arktik. Si pasojë, do të ketë periudha të gjata ngricash, që me kalimin e viteve do të shoqërojnë dimrat tanë. Sipas tyre, shkak për këtë është ngrohja globale që ka shkrirë akujt e oqeaneve dhe deteve në veri të planetit, duke rritur kështu paradoksalisht shanset e dimrave më të ftohtë në të gjithë zonën e Europës Veriore. Sipas shkencëtarëve, ata janë ende duke studiuar modelet e dy dimrave të fundvitit që i ngjajnë shumë njëri-tjetrit për nga sasia e reshjeve dhe nga ulja e temperaturave. Një nga pasojat e një kohe të tillë shumë të ashpër është edhe çrregullimi i transporteve të të gjitha llojeve, duke filluar nga transporti ajror, që këto ditë është bllokuar fare në shumë aeroporte të Europës, e deri tek ai hekurudhor, detar e tokësor. Kjo shoqërohet me vonesa të udhëtarëve dhe të mallrave, pra me dëme ekonomike të individëve dhe të kompanive të ndryshme, të cilat tashmë duhet që të llogarisin në punën dhe lëvizjet e tyre kushtet e rënda të motit dhe vonesat që pasojnë.

Specialistët e klimës besojnë se tërheqja dramatike e akullit të oqeanit Arktik gjatë 30 viteve të fundit ka nisur pak nga pak të ndryshojë edhe modelet e deriatëhershme klimatike, kryesisht për sa i përket klimës në hemisferën e veriut. Megjithatë nga rezultatet e studimeve shkencëtarët theksojnë se klima është shumë e ndërlikuar dhe se nuk mund të ketë kurrsesi parashikime të sakta plotësisht në lidhje me të. Kjo ka bërë që një pjesë tjetër shkencëtarësh të jenë më të tërhequr në dhënien e mendimeve për dimrat e ardhshëm dhe për modelet e reja që do të përvijohen. Ata janë mbështetës të teorisë së ndryshimeve jo vetëm në Tokë, por edhe në sistemin tonë diellor dhe në vetë marrëdhënien e Tokës me Diellin.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›