Ish-komandanti i policise qe sot perplaset me detin
Era e kripur e Adriatikut përplaset mbi trupin e njeriut që pret fundvitin për të festuar e uruar veten e njerëzit e dashur për një vit më të mbarë. Ashtu si miliarda njerëz në të gjithë botën uron e kërkon një vit më të mirë. Teksa tragetet ankorohen një nga një në terminalin e tyre në Portin Detar të Durrësit, një barkë e vjetër me motor lëviz me kujdes mes tyre.
Ndalon, manovron në hapësirën ujore portuale dhe kthehet sërish duke vijuar me të njëjtin cikël veprimesh. Rreth e rrotull syri të zë mbeturina të shumta. Mbi to një burrë në moshë, i veshur lehtë për temperaturat e këtij funddhjetori, me një rrjetë në dorë mbledh mbetjet e ngurta që pluskojnë mbi ujë. Është një nga ato rrjetat që zakonisht i ruajmë në kujtesë nga fëmijëria e hershme si mjet që përdoret vetëm për të kapur flutura e insekte në lëndinat e parqet e munguara.
Hamdiu kap me të plehrat, ndërsa fluturat imagjinare kanë mbetur tutje, larg në kohë. Hamdi Sula është 52 vjeç dhe çdo ditë ndodhet në det, duke gjuajtur mbeturinat e pastruar basenin portual. Punon për firmën e pastrimit detar dhe prej një viti, që nga dhjetori i kaluar, kryen këtë punë. Në të ftohtë dhe në temperatura të larta. Dikur punonte në Policinë e Shtetit, në një nga rrethet verilindore të vendit. Sot përballet me detin, kushtet atmosferike dhe ndryshimet që 20 vite tranzicion sollën për të. Është një burrë fjalëpakë, por i komunikueshëm. Kripa e detit i than fytyrën ku vitet dhe shqetësimet kanë lënë gjurmët e tyre, ndërsa sytë bojëdeti në gri shprehin butësi dhe njëfarë trishtimi. Nuk i ndahet barkës së punës edhe teksa flet me të i përkushtohet punës, ndërsa koha kur ishte komandant i postës së policisë në Bulqizë ka ngelur pas. Hamdiu nuk e ka aspak të vështirë të thotë se puna në det është më e vështirë se ajo në tokë, po një punë që duhet vlerësuar e nderuar, pasi të siguron të ardhurat e domosdoshme për të siguruar jetesën. I duket e çuditshme që një gazetare pyet për të djeshmen e të sotmen e tij. Interesat mediatike mendon se ndalen më së shumti te njerëz të rëndësishëm të politikës, kulturës e shtetit, por edhe tek ata që dikur ishin pjesë e punës së vet. “Para 23 vjetësh kam qenë komandant i postës së policisë në Bulqizë. Pas vitit 1991 dola në reformë e pastaj në pension të parakohshëm”, thotë ai. Më pas na tregon se dalja në pension nuk e la duarlidhur, pasi njeriu duhet të punojë sa të ketë jetën. Teksa krahason punën në polici dhe atë në det, kujton ngarkesën e lartë psikologjike që mbartte të punuarit në organet e policisë para vitit 1990, atëherë kur monizmi ishte në fuqi e pesha e krimit kishte një tjetër vlerë. Ishte mjaft e rëndë dhe përgjegjësia e njerëzve-zbatues të ligjit mjaft e lartë. Megjithatë, Hamdiu thotë se puna në det është mjaft e vështirë, madje ia kalon asaj në tokë e polici. Që nga koha e zhvendosjes nga rrethi i Dibrës në Durrës ka punuar kryesisht në firmën e pastrimit detar, po vetëm prej një viti punon në heqjen e mbetjeve të ngurta nga territori ujor portual. Tragetet ikin e vijnë dhe Hamdiu është aty, duke pastruar. Në shtëpi e pret familja. Ka tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë. Vajzën e ka të martuar, djalin e vogël në shkollë të mesme, ndërsa të madhin në Itali. Tashmë që liberalizimi i vizave nuk është më një ëndërr, po realitet i prekshëm ai mendon të shkojë dhe vetë të takojë të birin emigrant. “Jeta duhet pranuar ashtu si vjen, rëndësi ka të jetosh me punë e me nder”, thotë Hamdiu.