E Diel, 1 Nëntor 2026

MURET E GJUHS

Gjuha në natyrën e vet është element thelbësor i komunikimit ndërmjet njerëzve, i ndërtimit të urave midis grupeve shoqërore dhe i shembjes së mureve. Por në shoqëritë njerëzore gjuha shpeshherë është shndërruar dhe në të kundërtën e saj, në faktor të përçarjes dhe të urrejtjes ndaj tjetrit, që nuk flet të njëjtën idiomë, të ngritjes së mureve. Shembuj të kësaj natyre ka shumë, sidomos në shoqëritë ballkanike që udhëhiqen ende nga ideologji ataviste dhe nga politikat sundimtare. “Muret e gjuhës, varret ende të hapura, luftërat, heshtja e gjatë prej 20 vjetësh nga rënia e sistemit socialist - janë arsyet pse ballkanasit nuk njohin njëri-tjetrin, - shprehet poeti maqedonas Nikola Maxhirov, - dhe pse urrejnë gjuhën e njëri-tjetrit”.

Botëkuptimet anatemuese për gjuhën e tjetrit të cilin e kemi pranë, për hierarkinë e gjuhëve në gjuhë të rendit të parë, gjuhë të rendit të dytë, gjuhë të rendit të tretë, të mbrojtjes së ligjërimit vetjak dhe të ekzekutimit të ligjërimit të tjetrit, kanë sjellë jo pak fatalitet a zezona për çdo shtet, për çdo perandori, për çdo kulturë e për çdo qytetërim që ka provokuar ndërsyerje të tilla antigjuhë.

Çdo shoqëri si vlerë kryesore të saj e ka gjuhën. Nëse do të shkelej kjo vlerë, atëherë do të fillojë, natyrshëm, reagimi i së kundërtës: “lufta për gjuhën”. Kështu, luftërat në fakt asnjëherë nuk janë bërë për territore, por për gjuhët. “Luftërat nuk bëhen për territore, por për fjalë. Arma më vrastare e njeriut është gjuha” (Arthur Koestler). “Në Europë gjuha është më shumë se një mjet komunikimi, ajo është shprehje dhe simbol i kulturave të ndryshme të kontinuitetit”. (U. Ultermatt).

Kjo, për sa i përket dimensionit të jashtëm.

Por, muret e gjuhës ngrihen dhe në një dimension tjetër të brendshëm, të luftës me vetveten, në rrafshin e standardit. Në këtë dimension, gjuha standarde konceptohet si kod i urrejtjes dhe fillon të shfaqet egocentrizmi narcisoid krahinorist, pra përsëri “lufta me gjuhën”. Të kujtojmë këtu rastet me konceptet e dystandardësisë me greqishten, serbo-kroatishten, norvegjishten, moldavishten, shqipen, pra ku çojnë përplasjet e tilla.

Për sa i përket greqishtes, siç shprehet N. Kazanxaqi: “Gjuha e ndan Greqinë moderne në dy kampe armiqsh. Nga njëra anë kemi puristët, që shkruajnë në një gjuhë bastarde, gjysmë antike, gjysmë moderne, gjysmë të gjallë e gjysmë të vdekur. Kjo është gjuha zyrtare e shtetit dhe e kishës, e parlamentit dhe e gjykatave, por edhe e universitetit. Nga ana tjetër, gjuha e gjallë e popullit, “dhimotiqi”, e cila ka triumfuar plotësisht në letërsi dhe ka filluar të pushtojë edhe shkrimet shkencore. Sot, në Greqi, ne ndodhemi në epokën gjuhësore të Dantes, ku të mësuarit, dijetarët shkruanin në latinishten e varfër dhe tregonin përbuzje të madhe ndaj gjuhës së popullit, e vetmja gjuhë e gjallë.

Shembuj të krijimit të gjuhëve multistandarde - e dy ose më shumë standarde, me bazë të njëjtë gjuhësore - ka shumë, dhe çdonjëri paraqet rast të veçantë, për shkak të rrethanave të ndryshme historike dhe sociolinguistike. Në disa raste ekzistenca e dy ose më tepër standardeve është kushtëzuar gjeografikisht, e me këtë dhe me dallime kulturore. Shembull të tillë kemi te standardi anglez dhe tek ai amerikan të gjuhës angleze – çdo variant përdoret në një rajon gjeografik të caktuar, ku janë zhvilluar dhe dallimet kulturore.

Shembull të ngjashëm kemi dhe me dy standardet e gjuhës rumune, të moldavishtes në Moldavi dhe atë të rumanishtes në Rumuni. Diçka e tillë ka qenë situata dhe me gjuhën serbokroate, në të cilën dy variantet (ose standardet) janë përdorur në rajone të ndryshme, në Kroaci dhe në Serbi, me dallimet kulturore që u krijuan për shkak të ndarjes gjeografike, politike dhe kulturore. Edhe në Norvegji, ekzistenca e dy standardeve sot kushtëzohet kryesisht mbi bazë gjeografike (‘nynorsk’ në Norvegjinë Perëndimore), por dhe mbi bazë kulturo-historike e sociolinguistike – ‘nynorsk’ ka shqiptim të gjuhës së vërtetë nacionale krijuar mbi bazën e dialekteve, kurse ‘boksmǻl’ është krijuar historikisht mbi bazën e gjuhës letrare daneze, dhe është më tepër “standard urban” ( Mǿnnseland).

“Në rastin e shqipes, situata multistandarde është suprimuar qëllimisht, falë përpjekjeve politike dhe kulturore. Kjo ka ndodhur në vitin 1972, kur situata e mëparshme dystandarde (gegërishtja në veri dhe toskërishtja në jug) u unifikuan në standardin e përbashkët mbi bazën e toskërishtes. Përpjekjet e tilla nuk kanë pasur sukses në Norvegji, me gjithë presionin e fortë politik gjatë shumë dhjetëvjeçarëve që të realizohet. Nuk ka pasur sukses as me serbokroatishten” ( Mǿnnseland).

Por, kohët e fundit, 40 vjet që nga krijimi i standardit të përbashkët (1972), janë shfaqur tendenca për “ristandardizim”, me pretekstin se qenkan bërë padrejtësi ndaj gegërishtes (!), tendenca për ndarjen e gjuhës standarde më dysh: në gegërishten standarde dhe në toskërishten standarde, apo dhe në krijimin e një kosovarishteje zyrtare si shprehje e identitetit të shtetit të ri të Kosovës! Etja e shtirur për dystandardësi, për një shqipe multistandarde a për një kosovarishte zyrtare, o bën protagonistin e Don Kishotit, o bën të paaftët për t`u marrë me ndonjë punë tjetër më të mençur dhe kësisoj, i qepen e i bien më qafë gjuhës.

Lufta për leitedialektin (dialektin prirës) në themel të gjuhës letrare, edhe 40 vjet pas krijimit të shqipes standarde, rikthimi prapë në dialekte e në istikame krahinore, nuk është veçse një keqpërdorim i gjuhës, apo siç do të shpreheshim me fjalët e Xhorxh Oruellit, është një arkaizëm sentimental, ngjashëm sikundër të preferosh qirinjtë kundrejt ndriçimit elektrik ose pajtonin në vend të avionit.

Për një ndarje të tillë të gjuhës amë në dy trungje, shkrimtari rumun nga Moldavia, Leonida Latrir, gjuha e të cilit e pësoi këtë fat, do të shprehej: “Ndarja e një gjuhe në dy është diçka që fantastët më të mëdhenj të botës nuk kanë guxuar të bëjnë. Studiuesit tanë, sido që të jetë, e bënë për arsye më parë politike sesa gjuhësore” (1998).

Luftërat e tilla me gjuhët, qoftë në planin e jashtëm (ndërsyerja kundër gjuhës së tjetrit), e qoftë në planin e brendshëm (ndërsyerja kundër gjuhës standarde vetjake), pa dyshim që janë irracionale, të dështuara, të humbura, por nuk mund të thuhet se kalojnë pa pasoja e pa vragë: në rastin më të butë, si p.sh. në Finlandë, në të cilën ka pasur konfrontime ndërmjet finlandezëve dhe suedezëve pas pavarësisë së Finlandës më 1917, sjellja e këtij vendi ndaj çështjes gjuhësore filloi të ashpërsohet, por, sidoqoftë, konflikti gjuhësor në këtë vend nuk mori asnjë jetë njeriu: ai u zhvillua kryesisht në rrafshin verbal, dhe kur në raste të rralla do të shfaqej dhunë fizike, ajo nuk do të prodhonte asgjë më shumë se disa mavijosje rreth syrit; për dallim nga “Rasti i Maqedonisë” i vitit 2001,  kur “gjuha u vu në grykë të topit” dhe mori jetë njerëzish.

Duhet ta kuptojmë njëherë e mirë atë që thoshte e F. de Saussure se: “Gjuhët janë bërë për ne, janë bërë për të na ndihmuar, për të na bërë të kuptojmë dhe për të thënë atë që mund të ndodhë”, dhe jo të bëjmë “luftë me gjuhët e njëri-tjetrit dhe me gjuhët standarde”. Më në fund “Ne ekzistojmë në botë nëpërmjet gjuhës” (Gadamer).

“Kemi menduar se jemi zotër të gjuhës, tani e dimë që gjuha është zoti ynë” (Zdenko Lešić).

Edhe në fushën e quajtur pastërtia e gjuhës, termat si: huazim, fjalë e huaj, barbarizëm, pastërti e gjuhës, pastrimi i gjuhës, purizmi, më shpesh shoqërohen me ngarkesë emotive dhe jo me ndonjë përkufizim shkencor. Prandaj dhe miti për një shqipe të pastër e të kulluar do të mbetet vetëm një mit dhe asgjë më tepër, sepse ashtu siç nuk ka raca dhe popujt të pastër, nuk ka gjuhë të pastra. Miti për gjuhën thjesht shqipe është një përfytyrim tërësisht në kundërshtim me realitetin e sotëm të gjuhëve kombëtare, sepse nuk ka kombe me gjuhë pa asnjë gjurmë të marrëdhënieve me gjuhët e kombeve të tjera (Xh. Lloshi). Puna për pastrimin e shqipes, më shumë se një modë dhe një fushë protagonizmi individual, nuk është veçse një punë Sizifi me dobi të pakët e me humbje të mëdha.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›