Europa jep verdiktet e fundit të eliminatoreve

Fushata e Eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022” për zonën e Evropës ka dhënë të martën në mbrëmje verdiket e saj të fundit, teksa janë luajtur edhe takimet e 3 grupeve të mbetura, D, E dhe G. Në fakt, sa u përket vendeve të para të grupeve gjithçka ishte sqaruar në 9 grupet e tjera, ku biletën automatikisht e kishin siguruar më herët Belgjika, Kroacia, Danimarka, Anglia, Franca, Gjermania, Serbia, Spanja dhe Zvicra.
Ndërkaq, i vetmi vend i parë që ishte ende i hapur ishte ai i grupit G, ku Holanda ka vuajtur, por e ka fituar duelin e drejtpërdrejtë me Norvegjinë, me një gol të shënuar në 6 minutat e kohës së rregullt dhe një gol në shtesë. Gola këta që kanë çuar “portokallinjtë” në Katar dhe e kanë detyruar Turqinë të ngushëllohet me vendin e dytë dhe një biletë për në “play-off”-in e Botërit të vitit të ardhshëm.
Në fakt, deri në çastin e shënimit të golit nga Holanda, ishte Turqia që shkonte në Botëror, falë fitores së vështirë, 2-1, që ajo siguroi në fushën e Malit të Zi. Kështu, pra, Turqia siguron vendin në “play-off”, së bashku me Italinë, Maqedoninë e Veriut, Poloninë, Portugalinë, Rusinë, Skocinë, dhe Suedinë.
Një gjë të tillë e kanë siguruar të martën edhe Uellsi, që me barazimin 1-1 të marrë në fushën e vet ndaj Belgjikës, ka marrë vendin e dytë në grupin E, ashtu sikundër ka bërë edhe Ukraina, që me fitoren 2-0 të arritur në Zenicë ndaj Bosnjë-Hercegovinës, por edhe fitores me të njëjtat shifra që Franca korri në Finlandë ndaj përfaqësueses vendase, ka siguruar vendin e dytë në grupin D.
Edhe pse fitoi 2-0 në shtëpi ndaj Estonisë, Republika Çeke nuk shkoi dot më larg se vendi i 3-të në grupin E, me 14 pikë, një më pak sesa Uellsi. Por çekët shkojnë sidoqoftë në “play-off”-in e Botërorit “Katar 2022”, së bashku me Austrinë, si dy skuadrat që e kanë siguruar këtë të drejtë nëpërmjet renditjes në Ligën e Kombeve të Evropës.