E Enjte, 5 Nëntor 2026

Xi Jinping-u dhe Joe Biden-i zhvillojnë videotakim

Presidenti i Kinës Xi Jinping bëri thirrje gjatë një videotakimi me homologun e tij amerikan Joe Biden të martën për nxitjen e marrëdhënieve Kinë-ShBA në “një drejtim pozitiv” me “hapa aktivë”, njofton Radio e Jashtme e Kinës.

“Kina dhe ShBA-ja duhet të trajtojnë si duhet punët e tyre të brendshme dhe njëkohësisht, të mbajnë përgjegjësitë e veta ndërkombëtare dhe të punojnë bashkërisht për çuarjen përpara të çështjes fisnike të paqes dhe zhvillimit botëror, ” tha Xi, duke u bërë thirrje të dyja palëve të shtojnë shkëmbimet e bashkëpunimin.

Duke vënë në dukje se Kina dhe ShBA-ja janë dy ekonomitë më të mëdha të botës dhe vende anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Xi tha se të dyja vendet duhet të punojnë bashkërisht për të nxitur çështjen e paqes e të zhvillimit botëror.

Duke folur për mbrojtjen e përbashkët të mjedisit ndërkombëtar paqësor dhe të qëndrueshëm, Xi theksoi përballimin efektiv të sfidave globale, përfshirë ndryshimin klimatik dhe pandeminë e COVID-19.

Nga ana e tij, Biden-i shprehu shpresën që të zhvillojë një bisedë të sinqertë me Xi Jinping-un, duke shtuar se ishte e rëndësishme që ata të komunikonin në mënyrë të hapur e të ndershme.

Presidenti amerikan shprehu gjithashtu shpresën se takimi i ardhshëm i tij me homologun kinez do të ishte ballë për ballë.

Takimi i së martës është takimi i parë nëpërmjet videos midis dy liderëve. Qysh prej fillimit të këtij viti, Xi dhe Biden kanë zhvilluar dy biseda telefonike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›