Europa në prag zgjedhjesh dhe përballë sfidave ekonomike
Zgjedhjet do të mbahen pas një viti. Por ndërkaq socialdemokratët gjermanë kanë zgjedhur ish ministrin e Financave, Peer Stainbryk për të sfiduar kancelaren gjermane Angela Merkel. Në fakt ka qenë një proces i nisur si jo shumë i qartë madje gazetat gjermane e kishin cilësuar si një farsë. Kanë qenë tre kandidatë, dhe krahas Stainbryk ka qenë edhe presidenti i partisë Sigmar Gabriel dhe ish ministri i Jashtëm Frank - Walter Stainmejer i cili kishte humbur ndaj kancelares gjermane në vitin 2009. Që të tre janë prezantuar bashkë në një konferencë për shtyp dhe ka qenë Peer Stainbryk që ka deklaruar se kërkon të zëvendësojë qeverinë në ikje. Sidoqoftë sondazhet nuk janë nga ana e tij. Favoritja kryesore është kancelarja e cila ndërkaq ka edhe një popullaritet shumë të lartë. Sipas të gjitha gjasave ndoshta kjo qeveri do të zëvendësojë vetveten sepse aktualisht ka një konsensus që arrin në 38 %. Një shifër shumë e lartë për zgjedhjet e ardhshme. Natyrisht po luhet me emrin e Peer Stainbryk sepse kërkohet që të merren votat e të pakënaqurve por edhe për faktin se ish ministri i Financave ka një profil të qendrës. Peer Stainbryk kërkon që të marrë vota edhe nga të majtët. Javën e kaluar ka folur për një program të cilin e ka cilësuar si kundra bankave madje ka shtuar se nuk duhet të mendohet për humbjet e instituteve të kredive dhe se këta të fundit duhet të japin kontribute për një fond shpëtimi. Zërat kundër tij gjithsesi janë të shumtë. Ka nga ata që kujtojnë se kur falimentoi Lehman në vitin 2008, ish-ministri i Financave deklaroi se kriza kishte të bënte vetëm me Amerikën dhe nuk do ta prekte Gjermaninë. Peer Stainbryk sidoqoftë ka një karakter tërësisht gjerman, është një administrator i mirë dhe në të njëjtë kohë një besnik i denjë i politikave fiskal. Por zgjedhjet që do të zhvillohen pas një viti në Gjermani janë shumë të lidhura me krizën e eurozonës. Peer Stainbryk është një person që thotë në mënyrë brutale atë që mendon po kjo është cilësuar nga analistët si një thikë dytehëshe madje ka sjellë edhe disa incidente diplomatike në kohën kur ishte ministër i Financave të Gjermanisë. Kritikoi fort politikën fiskale franceze në një takim të Ekofin në të cilin ish presidenti francez ishte vetëftuar. Por një gjë është e rëndësishme dhe shqetësuese për militantët e tij sepse një herë që ka marrë pjesë në zgjedhje ka pësuar një humbje shumë të rëndë. Ka qenë asokohe president në Westfalia dhe atëhere si rrjedhojë ra qeveria Shroder dhe erdhi në pushtet zonja Merkel. Natyrisht që zgjedhjet që do të zhvillohen në Gjermani janë të një rëndësie të veçantë edhe për vetë fatet e vetë Europës. Ndërkaq vetë situata e Europës në tërësi nuk është nga më të mirat. Lajmi më i fundit është se bankat spanjolle (14 prej instituteve) kanë nevojë për një kapital prej 59,3 miliardë eurosh. Vetëm shtatë prej tyre nuk do të kërkojnë ndihmë kjo edhe sipas deklaratave të autoriteteve spanjolle. Për shpëtimin e bankave spanjolle Bashkimi europian do të lëvrpjë 100 miliardë euro ndërsa qeveria spanjolle kishte deklaruar se do të përdorte vetëm 60 miliardë euro. Rikapitalizimi i disa prej bankave spanjolle mund të fillojë që në muajin nëntor. Ka qenë Komisioni europian që ka bërë një deklaratë të tillë duke shtuar se ky është një hap i rëndësishëm për të forcuar sistemin spanjoll. “Nevoja për kapitale për bankat është një kalim kyç në procesin e restaurimit dhe forcimit të sistemit bankar spanjoll” - shkruhej në komunikatën e Komisionit europian. Por ndërkaq Komisioni europian ka bërë të ditur se bankat spanjolle do të paraqesin një plan rikapitalizimi të aprovuar nga banka spanjolle dhe nga Komisioni europian. Sipas qeverisë spanjolle “qeveria spanjolle mund t’i kërkojë BE rreth 40 miliardë euro ndihma për sistemin bankar”.