E Diel, 1 Nëntor 2026

Europa përvëlohet nga temperaturat, vapa rekord sjell zjarre, thatësirë dhe pasoja të rënda ekonomike

Europa Perëndimore po përjeton një valë të pazakontë të nxehti, ndërsa temperaturat rekord po shoqërohen me thatësirë dhe zjarre të shumta. Shërbimi i Ndryshimit Klimatik Kopernikus tha se temperatura mesatare e kombinuar në Europën Perëndimore për qershor-korrik ishte 21.62 gradë Celsius – duke thyer rekordin e vitit 2022 për të njëjtën periudhë.

Situata është e rëndë edhe në Mbretërinë e Bashkuar, ku këtë vit janë regjistruar 33 ditë me temperatura mbi 30 gradë Celsius, vetëm një ditë më pak se rekordi i vitit 1995.

Temperaturat pritet të rriten sërish gjatë ditëve të ardhshme, duke rritur mundësinë që ky rekord të thyhet, ndërsa vendi përballet me valën e pestë të të nxehtit këtë verë.

Maji dhe qershori kanë shënuar rekorde të reja temperaturash, ndërsa korriku ishte muaji më i thatë i regjistruar ndonjëherë në Britani. Ndërkohë, në të gjithë Europën, lumenjtë kanë rënë në nivele shumë të ulëta, bujqësia po dëmtohet dhe kostot e zjarreve dhe humbjeve ekonomike po rriten.

Ekspertët paralajmërojnë se “kjo verë po tregon se ndryshimet klimatike kanë një kosto të drejtpërdrejtë për ekonominë”.

Europa është kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë dhe dy muajt e parë të verës janë shënuar nga valë të njëpasnjëshme të nxehti, temperatura përvëluese dhe kushte jashtëzakonisht të thata.

Në sfondin e kësaj vale të nxehti, në Oqeanin Indian po zhvillohet një fenomen i quajtur Dipoli pozitiv, ndërsa në Paqësor po forcohet El Niño, dy dukuri që mund të ndikojnë në motin e muajve të ardhshëm.

Sipas parashikimeve, kombinimi i tyre mund të ndryshojë qarkullimin atmosferik dhe reshjet në disa pjesë të botës, duke e bërë dimrin 2026-2027 një tjetër periudhë që mendohet se do të sjellë fenomene ekstreme të motit

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›