Europa vendos misionin në Kosovë një ditë para pavarësisë
“Ne do të vazhdojmë me agjendën tonë tashmë të njohur edhe ditën e nesërme (sotme), bashkë me bashkësinë ndërkombëtare, duke aluduar se shpallja e pavarësisë do të ndodhë të dielën, por pa e specifikuar, ka thënë kryeministri Thaçi. Ai ka shtuar se asnjë vizitë e cilitdo lider që vjen në Kosovë nga shteti fqinj, Serbia, nuk do të ndikojë në punën tonë.
Këto komente kryeministri Hashim Thaçi, i ka bërë në takim me liderët religjioz të Kosovës, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve për paralajmërimin se gjatë ditës së nesërme zyrtarë të Serbisë do t’i vizitojnë enklavat e pakicave në Kosovë për t’i mbështetur kundër pavarësisë. Ndërkohë Kryeministri Thaçi bëri dje homazh para Varrezave të dëshmorëve në Prekaz me ç’rast vizitoi familjen e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.
BE vendos për dërgimin e misionit EULEX në Kosovë/Bashkimi Evropian ka miratuar vendimin për dërgimin e misionit në Kosovë. Vendimi është miratuar në mesnatë, pasi që asnjë nga 27 vendet anëtare të BE-së nuk kundërshtuan planin operacional. Misioni do të ketë rreth dy mijë pjesëtarë, do të quhet EULEX dhe pritet të dislokohet në Kosovë, duke filluar nga java e ardhshme. Ky mision ka për synim të ndihmojë autoritetet kosovare në ndërtimin e një sistemi ligjor, që do të mbështetej në parimet e multietnicitetit. Vendimi për misionin është miratuar sipas të ashtuquajturës "procedurë e heshtur", ndërsa do të kryesohet nga holandezi Pieter Feith. Pritet që misioni të marrë kompetencat e UNMIK-ut në qershor të këtij viti. Ne te njejten dite, vendosjen e misionit ne Kosove e ka pershendetur edhe kryeministri Sali Berisha, i cili ka ofruar mbështetjen e Shqipërisë për mbarëvajtjen e këtij misioni.
Të hënën Kosovën do ta njohin Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe SHBA-të/Rreth 20 vende të Bashkimit Evropian do të njohin shpejt shtetin e ri të Kosovës, pas shpalljes se pavarësisë. Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia mund të njohin pavarësinë e Kosovës ditën e hënë, ndërsa atyre do t’iu bashkëngjiten edhe SHBA-ja, njofton agjencia e lajmeve Reuters. Sipas po të njëjtës agjenci, fuqitë e mëdha, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia mund të njohin pavarësinë e Kosovës menjëherë pas takimit të hënën të shefave të diplomacisë së BE-së, ndërsa atyre do t’u bashkëngjiten edhe SHBA-të. Duke iu referuar burimeve diplomatike, sipas të cilave një qëndrim të tillë nuk e mbështesin gjashtë vende të BE-së, Bullgaria, Spanja, Rumania, Greqia, Sllovakia dhe Qipro. Në takimin e të hënës, Bashkimi Evropian do të konstatojë se statsu-quo-ja në Kosovë ka qenë e paqëndrueshme, do të bëjë ftesë për një Kosovë mutlietnike, në të cilën do të respektohet ligji, pakicat dhe trashëgimia kulturore dhe religjioze
Bush: SHBA do të angazhohen për një zgjidhje më të shpejt të statusit të Kosovës/Presidenti i Shteteve te Bashkuara, George Bush ka zhvilluar dje një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, me të cilin kanë biseduar edhe për Kosovën dhe për çështje të tjera, vatra të krizës në arenën ndërkombëtare. Nga deklarimet e djeshme të dy zëdhënësve në Washington, si në Shtëpinë e Bardhë ashtu edhe në Departamentin e Shtetit mund të nënkuptohej se Shtetet e Bashkuara duan një zgjidhje të shpejtuar dhe të pavonuar të statusit të Kosovën. "Sa i përket qëndrimit tonë, ai nuk ka ndryshuar. Ne po punojmë me aleatët tanë, po punojmë edhe me Kosovën dhe Serbinë dhe mendojmë se jetësimi i menjëhershëm i planit Ahtisaari është qasja e drejtë. Pra këtu kemi qenë dhe qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar", tha dje pas takimit midis presidentit Bush dhe Sekretarit Ban ki Moon, zëvendës/zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Scott Stanzel. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Sean McCormack ndërkaq, po ashtu theksoi rëndësinë e një zgjidhje përfundimtare për Kosovën dhe shtoi se Shtetet e Bashkuara besonin se zbatimi i planit Ahtisaari, që parasheh pavarësinë në një formë të mbikëqyrur, ishte rruga e drejtë e zgjidhjes. "Ky ka qenë vazhdimisht qëndrimi ynë dhe ne besojmë se ndjekja e kësaj rruge do të çojë më në fund në një rajon më paqësor dhe më të qëndrueshëm", tha McCormack. Shtetet e Bashkuara të Amerikës besohet se do të jenë ndër vendet e para që do të njohin shtetin e ri të Kosovës. Burime të paemëruara i kanë thënë korrespondentit të RTK-së në New York se akti historik i shpalljes së pavarësisë së Kosovës pritet të ndodhë të hënën para dite, pra më datën 18 shkurt.
Atavizmi serb - Beogradi e cilëson misionin e BE-së në Kosovë "të turpshëm dhe okupues"/Beogradi zyrtar ka reaguar ashpër ndaj vendimit të BE për dërgimin e Misionit EULEX në Kosovë, duke e cilësuar këtë si okupim dhe shkelje të vrazhdë të së Drejtës ndërkombëtare. Ministri Samarxhiq, ka thënë se vendimi i BE-së që me procedurë urgjente, në atmosferë të fshehtë, ta dërgojë misionin në Kosovë është edhe një vendim i turpshëm, me të cilin ka treguar se e përqafon politikën e secesionit dhe të njohjes së pavarësisë së Kosovës e cila, sipas tij, qenka pjesë e pandashme e Serbisë.
Prandaj, ka tërhequr vërejtjen Samarxhiq, Serbia në të ardhmen e afërt do të duhet t’i rishikojë marrëdhëniet e veta me BE-në dhe me shtetet anëtare, të cilat eventualisht do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Shefja e Grupit parlamentar të Partisë Demokratike (DS), të presidentit Tadiq, Nada Kolunxhia, ka deklaruar se Serbia edhe më tutje mbetet në qëndrimin se "çdo ndryshim i Misionit në Kosovë është i pamundshëm pa vendim të KS të KB, në mënyrë që të mbështetet në të Drejtën ndërkombëtare". Ajo ka thënë se mbetet të shihet se si do të reagojë Serbia, duke shtuar se do të ishte tejet e rrezikshme që t’i ashpërsojë marrëdhëniet me BE-në, sepse kjo do t'ia zvogëlonte shanset për të luftuar për interesat e veta, dhe, ka paralajmëruar se mbledhja e Kuvendit kushtuar Kosovës do të mbahet të hënën, më 18 shkurt. Kurse Partia Radikale Serbe e ka dënuar ashpër vendimin e vendeve të BE-së "që në kundërshtim me Rezolutën 1244" ta dërgojë, siç thuhet në kumtesë, "Misionin okupues në Kosovë". Një vendim i tillë tregon se “grabitja e pjesës së territorit serb” është planifikuar gjatë, përkatësisht çdo lloji i karotës së rrejshme evropiane për popullin serb do të ishte perde për njohjen e shtetit të ri shqiptar në
territorin e Serbisë", dhe ka nënvizuar se përgjegjësinë për gjendjen e rëndë në vend dhe pozicionin katastrofal diplomatik e politik të Serbisë e bartë presidenti dhe qeveria të cilët e "kanë mashtruar popullin se si gjoja nuk ekziston unitet në BE kundër Serbisë"
Kosova, në qendër të interesimit të mediave botërore/Në prag të shpalljes së pavarësisë kryeqyteti i Kosovës është vërshuar edhe nga gazetarët e mediumeve të huaja botërore. Në përgjithësi ata thonë se ngjarjet në Kosovë, e veçanërisht shpallja e pavarësisë për ta është mjaft e rëndësishme, ngase shënon edhe fundin e shkatërrimit të Jugosllavisë. Qindra gazetarë të huaj kanë arritur në Kosovë, për ta përcjellë aktin e shpalljes së pavarësisë. Zoltan Kabok, gazetar i Radios Kroate në Zagreb, thotë se Kosova është qendra e interesimit medial botëror dhe është tema numër një. Kroacia është shumë e interesuar për këtë Kosovën duke marrë parasysh se rreth 60 mijë shqiptarë jetojnë atje. Kabok thotë se shpallja e pavarësisë përmbyll edhe fundin e shkatërrimit të Jugosllavisë. “Mendoj se kjo situatë është e lidhur edhe me rënien e Jugosllavisë. Ky tregim ka filluar në Kosovë dhe po përfundon këtu - me shpalljen e pavarësisë. Dhe, këtu bëhet fjalë për një periudhë 17 vjeçare. Mendoj se është përmbyllur një pjesë e kapitullit dhe tani duhet ti kthehemi Evropës. Edhe hotelet në Prishtinë kanë përgatitjet tyre për pritjen e mysafirëve, shumica prej të cilëve janë gazetarë. Ali Mehija drejtor i hotel Afa, thotë se 95 % e mysafirëve janë gazetarë të huaj.