E Shtunë, 31 Tetor 2026

17 shkurti i pavarësisë

Pas afro 16 vjetësh nga shpallja formale e Kosovës republikë ndaj i ndjeri Ibrahim Rugova në korrikun e vitit 1992, Kosova shpall sot pavarësimin e saj përfundimtare nga Beogradi. Ndryshe nga ai akt, gjithsesi historik, kur ushtria dhe policia serbe ishte e plotë në Kosovë dhe komuniteti ndërkombëtar kishte ende një nivel të ulët ndërgjegjësimi për delikatesën e çështjes shqiptare, akti i sotëm që pritet që të proklamohet se sallën e Kuvendit të Kosovës në Prishtinë, vjen pas konfliktit të përgjakshëm dhe spastrimit etnik në vitin 1999, në përfundim të së cilit pjesa më e madhe e vëzhguesve objektivë, vlerësuan me të drejtë se Kosova ishte hallka e fundit e zinxhirit të luftrave që përgjakën hapësirën e ish-federatës jugosllave e se për shkak se fajtori edhe këtë rast mbetej udhëheqësi nacionalist e diktatorial serb Sllobodan Milosheviç, Serbia e kishte humbur përgjithnjë atë që e etiketonte përherë si “djepin e patriotizmës”. Në bazë të programit të bërë dje publike mësohet se kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, do t’i dorëzojë në orën 10.00 Kuvendit kërkesën për një sesion të jashtëzakonshëm dhe më pas këtë kërkesë edhe do ta publikojë. Ngjarjet pritet të vijojnë me takimin e Kryesisë së Kuvendit dhe të grupeve parlamentare rreth orës 13.30 me sesionin plenar të Kuvendit të Kosovës në orën 15.00. Pas kësaj parashikohen deklaratat për median nga drejtuesit e tri institucioneve kryesore të vendit, Presidentit Fatmir Sejdiu, Kryeministrit Hashim Thaçi dhe kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi. Ngjarjet e ditës do vazhdojnë me përurimin e Obeliskut të Pavarësisë, përballë Pallatit të Rinisë në Prishtinë, me koncertin e Filarmonisë së Kosovës në sallën “1 Tetori”, me një koncert në sheshin e Prishtinës dhe me fishekzjarre në 4 vende të ndryshme në Prishtinë. Pak orë nga ky eveniment Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, priti në zyrën e tij, një delegacion nga Lugina e Preshevës, që drejtohej nga Riza Halimi, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik. Sipas komunikatës për shtyp të Presidencës, në takim u diskutua për përgatitjet me rastin e 17 Shkurtit, kur dhe do të shpallet Pavarësia e Kosovës dhe festimin e këtij akti në mënyrë paqësore dhe me dinjitet. Presidenti Sejdiu, thuhet në komunikatën për shtyp, njoftoi z.Halimi për punën që është bërë në draftin e Kushtetutës dhe përzgjedhjen e simboleve, të cilat do të miratohen nga Kuvendi i Kosovës. Duke folur për situatën e sigurisë në vend për ditët në vijim, Presidenti Sejdiu theksoi se çdo lëvizje që cënon rendin dhe stabilitetin do të marrë përgjigjje të qartë nga KFOR-i dhe mekanizmat e tjerë të sigurisë. Kryetari i PVD-së, Riza Halimi, rikonfirmoi në këtë takim mbështetjen e plotë për pavarësinë e Kosovës dhe theksoi se shqiptarët në Luginën e Preshevës do të vazhdojnë të jenë faktor i rëndësishëm stabiliteti dhe do të punojnë për realizimin e të drejtave të tyre, në përputhje me standardet ndërkombëtare. “Është me rëndësi që shqiptarët në këtë mjedis të jenë realizues të interesave të tyre në bazë të konventave ndërkombëtare dhe modeleve bashkëkohëse për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe komuniteteve” - theksoi Presidenti Sejdiu. Thaçi: Kosova, vend i tolerancës fetare edhe në të ardhmen/Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pati dje në mesditë një takim të veçantë me Myftiun e Kosovës, Naim Tërnava dhe me Ipeshkvin, Dodë Gjergji. Pas takimit, që u zhvillua në selinë e qeverisë së Kosovës, Kryeministri Thaçi deklaroi në një prononcim të shkurtër për median se biseda kishte si qëllim forcimin e bashkëpunimit të Qeverisë së Kosovës me përfaqësuesit e besimeve fetare, për të pritur me dinjitet shpalljen e pavarësisë. “Kosova ka qenë përherë vendi i tolerancës fetare dhe kështu do vazhdojë të jetë edhe në të ardhmen”, theksoi Thaçi. Ai përsëriti thirrjen që drejtuesit politikë të Kosovës u kanë bërë shumë shpesh ditët e fundit qytetarëve, “për të festuar me dinjitet” dhe për ta manifestuar me qytetari të lartë gëzimin e tyre. Myftiu Naim Tërnava falënderoi Zotin që i dha mundësinë popullit të Kosovës të festojë i bashkuar shpalljen e pavarësisë. “Besimet fetare në Kosovë kanë respektuar gjithnjë njëri-tjetrin”, tha Myftiu i Kosovës, duke shprehur sigurinë se kjo do të dëshmohet edhe në të ardhmen. Në fund të fjalës së tij Myftiu Tërnava tha "uroj popullin për arritjen e kësaj dite të madhe”. Edhe Ipeshkvi, Dodë Gjergji, theksoi gëzimin personal dhe të Kishës Katolike të Kosovës për “ngjarjen e madhe” që pritet të përjetojë Kosova. “Ne kemi vuajtur së bashku, por kemi ditur të vuajmë me dinjitet. Tani do të gëzojmë së bashku dhe sërish do të dijmë të gëzojmë në dinjitet”, tha Ipeshkvi Dodë Gjergji. “Edhe në gëzimin e tyre, shqiptarët nuk do të fyejnë ndjenjat fetare të askujt”, shtoi ai. Pyetjes lidhur me paralajmërimin e Beogradit për një vizitë të një politikani të lartë të Serbisë nesër në Kosovë, dhe nëse kjo përbën një provokim të radhës të Beogradit, Kryeministri Thaçi iu përgjegj se “ne kemi axhendën tonë, të cilën do ta respektojmë me përpikmëri. Asnjë veprimtari e Beogradit s’mund të ketë ndikim në axhendën tonë“. Berisha: Pavarësia e Kosovës çel një kapitull të ri mes kombit shqiptar dhe atij serb/Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se pavarësia e Kosovës hap mundësitë për një kapitull të ri mes kombit shqiptar dhe atij serb. Në një ceremoni të organizuar sot, me rastin e anëtarësimit në radhët e PD-së të një grupi të rinjsh, Kryeministri Berisha në përshendetjen e tij, u ndal edhe tek shpallja e pritshme e pavarësisë së Kosovës. Duke e vlerësuar rëndësinë e kësaj ngjarjeje për kombin shqiptar, si “më e madhja nga viti 1912 deri më sot”, ai theksoi se “me të merr fund një histori koloniale dhe hapet një kapitull i ri paqeje në rajon”. “Me pavarësinë e Kosovës merr fund një histori koloniale dhe hapet një kapitull i ri paqeje, stabiliteti, integrimi rajonal dhe europian. Hapen mundësitë për një kapitull të ri midis dy kombeve, atij shqiptar dhe serb, të cilët, pavarësisht nga historia tejet e lodhur, kanë vetëm një rrugë, atë që kanë ndjekur kombet e qytetëruara europiane, të ndërtojnë një të ardhme të re në paqe, stabilitet dhe prosperitet, për të cilën ne mbetemi thellësisht të angazhuar” - tha Berisha njëkohësisht kryetar i PD-së, në fjalën e tij para të rinjve demokratë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›