Mbarë Shqipëria kremton pavarësimin e Kosovës martire nga Serbia
17 Shkurti, dita e shumëpritur për mbarë shqiptarët, ku pritet që të zytrarizohet rreth orës 15.00 shpallja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, do të shoqërohet me festime masive në të gjitha sheshet dhe rrugët kryesore të Shqipërisë. Festimet më massive sigurisht që do te jënë përqëndruar në kryeqytet, ndërsa Bashkia e Tiranës ka nisur prej disa ditësh përgatitjet për këtë ditë të shënuar. Për të mundësuar festime sa më të qeta dhe lëvizje të shpenguar të qytetarëve të moshave të ndryshme që do të dalin në rrugë për të kremtuar duke asistuar në mjaft prej aktiviteteve të parashikuara me këtë rast, është parashikuar që në të gjithë Tiranën sot prej orës 10.00 e deri në orën 18.00,
të ndërpritet qarkullimi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshet kryesore, ku qytetarët pjesëmarrës, do të presin së bashku shpalljen e pavarësisë së Kosovës. “Këtë evenimet do ta presim nesër në qendër të Tiaranës, pasi është një ngjarje me rëndësi të madhe historike”- u shpreh dje një qytetar, i cili do të asistojë të dielën në aktivitetet e grupeve të këngëtarëve, instrumentistëve klasikë e popullorë, që do të luajnë në liri të plotë muzikën e tyre. Festime të shumta për këtë akt historic do të ketë edhe në qytetin bregdetar të Durrësit. Madje festimet për shpalljen e paralajmëruar të pavarësisë së Kosovës kanë filluar që prej ditës së djeshme, pasi flamurët kombëtarë dhe parrullat me urime për ditën e pavarësisë gjendeshin të vendosura në mjaft ballkone dhe dritare banesash, veçanërisht në fshatrat e komunave të Rrashbullit dhe Katundit të Ri, ku jetojnë prej disa dekadash qindra familje kosovare. Në Katundin e Ri, Qerret, Jubë, Arapaj, Shën Vlash dhe Rrashbull jetojnë rreth 20 mijë kosovarë, familjet e të cilëve kanë lënë shtëpitë dhe trojet e tyre në Kosovë, pasi janë dëbuar nga serbët në periudhën mes dy luftrave botërore. Në këto fshatra, si në të gjithë rrethin e Durrësit, gjatë pranverës së vitit 1999, u strehuan dhjetra mijë kosovarë, të cilët nesër do të shijojnë “Ditën e madhe”. Një festë e veçantë do të organizohet edhe në mjediset e dy prej hoteleve të plazhit të Durrësit, i cili prej disa vitesh frekuentohet në verë nga më shumë se 300 mijë bashkëkombas nga Kosova dhe Maqedonia. Edhe në qytetin e Elbasanit, dita e shumëpritur për mbarë shqiptarët, ka krijuar një atmosferë ndryshe nga shumë evenimente të tjera në këtë qytet. Bashkia ka nisur prej disa ditësh përgatitjet për këtë ditë të shënuar. Kreu i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, tha dje se në këtë ditë të shënuar janë përcaktuar një sërë aktivitetesh. Kështu sot në mesditë, banda frymore “Afërdita” do të ekzekutojë një sërë pjesësh patriotike në sheshin “Aqif Pasha” të qytetit. Gjithashtu, shumë flamuj kombëtarë do të ngrihen në të gjitha ballkonet në qendër të qytetit si dhe në çdo institucion shtetëror. Më vonë, pasi Kosova të këtë shpallur pavarësinë, rreth orës 17.00 të ditës së dielë, në sallën e Teatrit “Skampa” do të zhvillohet një koncert me këngë e valle patriotike, ku hyrja do të jetë falas. Më së shumti këtë ditë duket se e përjetojnë 250 familjet kosovare në lagjen “ Fushë Mbret” e cila njihet si “Kosovë e Vogël” në qytetin e Elbasanit. Ata janë nisur drejt Kosovës, për të festuar atje këtë eveniment, i cili është një ngjarje me rëndësi historike. Edhe At Nikolla Marku, famulltari i Kishës Autoqefale, paraditen e së dielës do të realizojë një meshë në Kishën “Shën Maria” për nder të kësaj dite të madhe për mbarë popullin shqiptar. Në këtë festë të madhe të kombit shqiptar, nuk kishte si të mungonte kryeqendra e veriut, Shkodra, Bashkia e së cilës ka përcaktuar një program 2-ditor festimesh me rastin e shpalljes së pavarësisë. Programi u përcaktua në një mbledhje të organizuar posacërisht për këtë eveniment. Kësisoj aktivitetet festive në kuadër të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, filluan që dje në mesditë, ku banda e qytetit do të ekzekutojë pjesë patriotike në sheshin e lagjes ‘Parrucë’. Aktivitetet, vijuan pasdite në teatrin ‘Migjeni’, ku u shfaq një montazh filmik i titulluar “Nana e të gjithëve“, në nderim të figurës së Nënë Terezës. Përsa i takon ditës së sotme aktivitetet do të nisin në orën 11:00, ku sërish banda e qytetit do të ndalet në sheshin e lagjes ‘Parrucë’, nga dhe do të nisë ekzekutimi i pjesëve muzikore që do të vijojnë në disa nga sheshet kryesore të Shkodrës. Më pas në orën 17:30 në sheshin “Luigj Gurakuqi” do të organizohet një koncert madhështor festiv me pjesëmarrjen e forcave më të mira artistike të qytetit të Shkodrës, përfundimi i të cilit do të shoqërohet me hedhjen e fishekzjarreve. “Atmosfera festive do të jetë e pranishme në qytetin verior deri në orët e vona të mesnatës të së dielës, nën shoqërimin e tingujve të DJ-ve më të mirë të Shkodrës” - tha kryebashkiaku Luka, i cili u bëri thirrje të gjitha institucioneve shtetërore dhe qytetarëve shkodranë që të dielën të vendosin flamuj kombëtarë në çdo ballkon apo mjedis tjetër. i u bëri thirrje të gjithë bashkëqytetarëve shkodranë që së bashku të festojmë siç duhet një eveniment të tillë, një ngjarje me rëndësi historike për shqiptarët. Festimet do të përfshijnë edhe qytetin e Gjirokastrës ka përgatitur një sërë aktivitetesh kulturore, e cila do të kulmojë 10 minuta pas shpalljes zyrtare të pavarësisë. Flamur Bime, kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, tha se pushteti vendor, në bashkëpunim me Prefekturën dhe Këshillin e Qarkut të Gjirokastrës, do të mbështetë të gjitha aktivitetet kulturore që do të organizohen në qytetin e gurtë. “Sipas planit të përbashkët, të gjitha institucionet shtetërore dhe lokale, do të ngrejnë në mënyrë simbolike flamurin kombëtare dhe më pas, të gjithë përfaqësuesit e saj do të mblidhen në kalanë e qytetit për të përshëndetuar Pavarësinë e Kosovës” - tha Bime. Më tej Bime tha se, pas ngritjes së flamurit kombëtar dhe përshëndetjeve të rastit, artistët dhe aktorët profesionistë të qytetit të Gjirokastrës do të japin shfaqje artistike për të gjithë komunitetin deri në orët e vona të natës. Gjatë vitit 1999, në Jug të Shqipërisë, u strehuan mbi 10 mijë kosovarë të dëbuar nga regjimi i Millosheviçit. Vetëm në fshatin Lazarat u strehuan mbi 2 mijë kosovarë, ndërsa pjesa tjetër gjetën ngrohtësi në familjet e qytetarëve të rajonit jugor, Gjirokastër dhe Tepelenë.