Europarlamentarët: 2012, shansi i fundit për integrimin
Delegacioni i Parlamentit Europian vlerëson marrëveshjen e arritur mes PS-së dhe PD-së, por njëkohësisht përcjell mesazhin se politika shqiptare duhet të shikojë axhendën e vitit 2012.
Tiranë – Pas takimeve të njëpasnjëshme, delegacioni i Parlamentit Europian që mbërriti dje në Tiranë për një vizitë dyditore, ka paralajmëruar se nëse vijohet në gjurmët e dy viteve të fundit, atëherë Tirana zyrtare rrezikon një refuzim të tretë të statusit të vendit kandidat. Në fund të ditës, gjatë një takimi të zhvilluar me studentët në zyrën për informim të Bashkimit Europian, Eduard Kukan dhe Viktor Bostinaru e kanë quajtur 2012-ën vitin deciziv për statusin dhe proceset e mëtejshme integruese të vendit.
“Shqipëria ka humbur shumë kohë në garën e proceseve integruese, shkaktuar nga ngërçi politik. Kjo është arsyeja përse vendi juaj nuk mori statusin e vendit kandidat. Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar. Nëse vizita jonë është e suksesshme, atëherë kjo do të jetë një ndihmë për klimën e re politike që shpresojmë të jetë e qëndrueshme në të ardhmen”, - u shpreh Eduard Kukan gjatë takimit me studentët. Ndërsa anëtari tjetër i delegacionit, Viktor Bostinaru, tha se Shqipëria nuk duhet të humbë shansin për integrim në 2012-ën, që mund të jetë dhe shansi i fundit. “Le të shpresojmë që pas zhvillimeve të fundit mund të ndërrojmë faqe. Ngrihet një pikëpyetje e madhe për përgjegjësinë e elitës shqiptare, e më shumë për elitën politike të këtij vendi. Si mund ata ta parandalojnë luftën politike? Flas për të dyja kampet politike që janë përgjegjëse për ngërçin. Nëse ndalem në axhendën e 2012-s, atëherë duhet të them se ky është shansi i fundit ose për të arritur sukses duhen përshpejtuar reformat për të marrë më pas statusin e vendit kandidat, ose në mënyrë dramatike, për të humbur mundësitë që mund të mos përsëriten në të ardhmen. Mesazhi është i qartë. Mos luani me proceset integruese si një çështje të pafund sherresh politike”, - tha ai. Ndërkohë, delegacioni i Parlamentit Europian e filloi ditën e parë të vizitës me një takim të zhvilluar me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, më pas me Presidentin e Republikës, Bamir Topi dhe në fund me kryetarin e opozitës, Edi Rama. Gjatë takimit të zhvilluar me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, ky i fundit është shprehur se “pas dy vjetësh ngërçi politik, perspektiva europiane ka treguar se është një mjet bashkimi dhe tejet i rëndësishëm për ndërtimin e konsensusit ndërmjet klasës politike në vend”. Presidenti i Republikës vlerësoi se ngritja e komisionit “ad hoc” për reformën zgjedhore dhe grupit të punës për rishikimin e rregullave të Kuvendit, si dhe votimi në komisionet parlamentare të disa kodeve që kërkojnë shumicë të cilësuar, shënojnë zhvillime pozitive që i hapin rrugën zbatimit të 12 përparësive të Komisionit Europian, ndërsa theksoi faktin se Raporti i Progresit i Komisionit Europian është kthyer në një program pune për institucionet shqiptare, për të avancuar më tej axhendën europiane. Kryetari i Delegacionit për Marrëdhëniet me Europën Juglindore, Eduard Kukan dhe eurodeputetët e tjerë të delegacionit të Parlamentit Europian, ndanë me kryetarin e shtetit të njëjtin mendim sa i përket bashkëpunimit politik mes palëve, për të cilin thanë se shpresojnë që të japë rezultatet e duhura në funksion të aspiratave madhore të qytetarëve shqiptarë dhe Shqipërisë. Edhe në takimin me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, është vlerësuar marrëveshja e arritur mes partive politike. “Jemi të lumtur që këto marrëveshje u arritën në parlament. Ne vlerësojmë kontributin tuaj si kryetare e Parlamentit, rolin tuaj pozitiv dhe duam të besojmë se kjo klimë do të vijojë. Kemi ardhur këtu t’ju rikonfirmojmë se në Parlamentit Europian gjërat po lëvizin pozitivisht për Shqipërinë dhe jemi të gatshëm të kontribuojmë që kjo atmosferë të vijojë në këtë trend pozitiv”, - u shpreh Kukan gjatë takimit. Nga ana e saj, Topalli u shpreh se mazhoranca e ka autorizuar atë të mbështesë draft-opinionin e përbashkët të OSBE/ ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias mbi ligjin elektoral dhe praktikat elektorale. Delegacioni ndodhet në Tiranë në kuadër të takimit të 4-t të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, BE-Shqipëri (SAPC)
Fratini: Rama ka punuar kundër Shqipërisë
TIRANË Anëtari i delegacionit italian i PDL-së në Kongresin e Partive Popullore Europiane, Franko Fratini, gjatë një bisede informale me kryeministrin Sali Berisha ka deklaruar se kryetari i PS-së, Edi Rama ka punuar kundër Shqipërisë. “Është e tmerrshme, e tmerrshme! Kryeministri Berisha ka një kundërshtar si Rama, që gjithmonë punon jo vetëm kundër Kryeministrit, por fatkeqësisht edhe kundër Shqipërisë”, - është shprehur Fratini. Ai ka theksuar se Shqipëria meriton tashmë besimin e Bashkimit Europian. “Edhe më herët kam theksuar se sa i rëndësishëm është për Shqipërinë bashkëpunimi politik mes grupeve kryesore politike, të cilat ndihmojnë që të funksionojë dhe parlamenti, dhe kjo është gjëja e duhur që do të ndihmojë Shqipërinë në integrimin europian. Forcat politike duhet të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe bashkëpunimi do t’u sjellë edhe suksesin e integrimit, por duhet të kihet parasysh se integrimi është në interesin e të gjitha palëve”, - është shprehur ai.