Delegacioni i PE distancohet nga deklarata e Daul për Ramën
TIRANË Deklarata e kryetarit të grupit të Partive Popullore Europiane, Jozef Daul, në Kongresin që po mbahet në Marsejë nga PPE-ja, se kryetari i opozitës, Edi Rama është pak i sëmurë mendor, nuk është pritur mirë nga europarlamentarët e delegacionit të PE-së që mbërritën dje në Tiranë për një vizitë dyditore. Gjatë takimit që delegacioni i PE-së zhvilloi me kryetarin e opozitës, Edi Rama, anëtarë të delegacionit, njëkohësisht pjesëtarë të grupit parlamentar të Partive Popullore në Parlamentin Europian, shprehën keqardhjen e tyre dhe u distancuan nga deklaratat e fundit të kreut të grupit parlamentar të PPE-së, Jozef Daul, në adresë të kryetarit të Partisë Socialiste dhe opozitës shqiptare. Nga ana e tij, kryetari i Partisë Socialiste garantoi delegacionin e Parlamentit Europian mbi vullnetin e opozitës shqiptare për të ushtruar të gjitha përgjegjësitë në funksion të përmbushjes së 12 prioriteteve të identifikuara nga Bashkimi Europian në lidhje me aplikimin e vendit tonë për anëtarësim në BE. Dy ditë më parë, kryetari i grupit parlamentar i Partive Popullore Europiane, Jozef Daul u shpreh: “Miku im Berisha, të falenderoj për gjithë punën që ke bërë për të ndaluar gjakderdhjen. Ti ke të drejtë dhe unë e di që ne kemi kaluar së bashku disa net pa gjumë, së bashku me kandidatin socialist, që ndoshta është pak i sëmurë. Bashkë me Martin Shuls, ne kemi arritur bashkë me ty dhe në sajin tënd, të ruajmë shumë jetë njerëzore dhe të respektohen të drejtat e njeriut...”.