E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria hap kutitë, prova si komisionerët manipulojnë rezultatet

SHKRUAN: Fejzi Braushi 09-12-2011 11:51

Procesverbali i hapjes së kutisë 4157 në Frashër të Përmetit. LSI-së, nga 14 vota që ka marrë në tabelë, i janë dhënë 36; PR-së nga 2 vota, i janë dhënë 15 vota. Të gjitha partive të tjera në koalicionin e djathtë u zerohen votat. PD e PS asnjë votë, as të komisionerëve në QV

Shpeshherë të vegjlit e politikës shqiptare janë konsideruar si më të dëmtuarit nga proceset elektorale. Por duket se mbetet një vlerësim jo i saktë, të paktën për disa prej këtyre forcave, të cilat në zgjedhjet e fundit lokale, jo vetëm që nuk janë penalizuar, por përkundrazi janë favorizuar në mënyrë të padrejtë në rezultat. Ky tashmë është një fakt që e ka vërtetuar më së fundi edhe Prokuroria, që ka nisur të hapë kutitë e votimit të zgjedhjeve të 8 majit, për të cilat ka pasur një denoncim, dhe ku kanë rezultuar shkelje flagrante të ligjit zgjedhor me rrjedhojë manipulimin e rezultatit në favor të disa partive të vogla, që për hir të së vërtetës në këto zgjedhje shënuan një ngritje të ndjeshme në vota. Bëhet fjalë për kutinë e votimit me numër 4157 në KZAZ-në 27 në Përmet, e cila pasi është hapur nga prokuroria, ka nxjerrë rezultate krejt të ndryshme në favor të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Republikane, ndërkohë që si pasojë e këtij falsifikimi janë dëmtuar 7 subjekte të tjera, mes të cilave PDIU, PAD, PBK etj. Interesant është fakti se nga hapja e kutisë, PD e PS nuk kanë marrë asnjë votë, madje as të komisionerëve të QV-së, çka shton dyshimet se i gjithë ndryshimi i rezultateve është bërë me lejen e dy të mëdhenjve, të cilët kanë firmosur më pas dhe procesverbalet.

Hapja e kutisë

Organi i akuzës, pavarësisht debatit politik ka vijuar qetësisht punën e tij dhe ka nisur të verifikojë pretendimet e ngritura nga një sërë subjektesh zgjedhore për manipulime të procesit elektoral të zgjedhjeve të 8 majit. Pas sekuestrimit në cilësinë e provës, Prokuroria ka mundur të bëjë dhe këqyrjen e pjesës më të madhe të kutive dhe ka përgatitur procesverbalet përkatëse për t’ia bashkangjitur dosjes dhe akuzave që do të ngrejë në gjykatë për falsifikim rezultati atje ku dhe është vërtetuar një gjë e tillë. Njëra prej këtyre kutive ka qenë edhe ajo qendrës së votimit me numër 4157 në KZAZ 27, në komunën Frashër të Përmetit, e cila në të vërtetë ka mundur të zbulojë një mekanizëm të tërë falsifikimesh, ku përgjegjës duket se janë të gjithë komisionerët, si të majtë ashtu edhe të djathtë, të cilët kanë firmosur procesverbalet e procesit të numërimit të votave. Gazeta “MAPO” ka mundur të sigurojë procesverbalin e konstatimit nga ana e prokurorisë së rrethit gjyqësor Përmet, ku vihen re shkelje të rënda, të cilat kanë sjellë për pasojë dhe ndryshim të rezultatit të shpërndarjes së mandatave për këtë komunë. Me urdhër të prokurores Silvana Pana, oficeri i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Rrethit

Gjyqësor Përmet, ka mbajtur procesverbalin që mban datën 27 korrik, për hapjen e kutisë së votimit për këshillin komunal. Siç konstatohet në këtë procesverbal, në fillim është bërë verifikimi i gjendjes fizike të kutisë, e cila ka rezultuar e rregullt, pra e padëmtuar, dhe më pas në prani edhe të një grupi zyrtarësh e dëshmitarësh është bërë hapja e saj dhe këqyrja e fletëve të votimit. “Pas hapjes së kutisë nga ana jonë u krye numërimi i fletëve të votimit, nga kryerja e të cilit rezultoi se në të ndodheshin 56 (pesëdhjetë e gjashtë) f1etë votimi, prej të cilave 54 (pesëdhjetë e katër) ishin të vlefshme dhe 2 (dy) të pavlefshme. Kjo pavlefshmëri konsistonte në faktin se njëra prej tyre nuk kishte të shënuar asnjë subjekt, kurse tjetra kishte të pasqyruar shenjë në dy subjekte në Partinë Liberal Demokrate, pasqyruar me numër 8 (tetë ) dhe në Lëvizjen Socialiste për Integrim, pasqyruar me nr. 9 (nëntë)”, - thuhet në procesverbal.

Numërimi i votave

Nga numërimi i mëtejshëm i votave të vlefshme të ndodhura në këtë kuti rezultoi se ato ishin të shpërndara si më poshtë: PSD 6 vota, AD 14 vota, BLD 3 vota, LSI 14 vota, PBK 4 vota, PD 1 votë, PDIU 8 vota, PPAK 2 vota dhe PR 2 vota. “Gjatë këqyrjes së kryer nga ana jonë nuk pati asnjë kontestim nga personat e pranishëm”, - thuhet në këtë procesverbal. Megjithatë, për të konstatuar shkeljen e ligjit dhe falsifikimin e rezultatit nga grupi i numërimit të kësaj qendre dhe anëtarët e KZAZ-së nëse kanë pasur dijeni, këto shifra duhet të ballafaqohen me rezultatin e kësaj qendre të certifikuar nga KQZ-ja. Në faqen e saj në internet, KQZ-ja ka publikuar të gjitha rezultatet për çdo qendër, përfshi edhe atë me numër 4157, që është subjekt i hetimit të prokurorisë. Kështu së pari, nga 9 subjekte politike që nga hetimi kanë rezultuar se kanë marrë të paktën një votë, në tabelën e rezultatit të miratuar nga KQZ-ja ky numër reduktohet në vetëm tre dhe ato janë: PSD, LSI dhe PR. Në rastin e PSD-së, kjo forcë rezulton të jetë e penalizuar sepse nga 6 vota që ka faktikisht në tabelën e rezultatit i është shënuar vetëm 5, ndërkohë që të gjitha subjektet e tjera PAD, PDIU, PD, PBK, PPAK dhe BLD janë penalizuar edhe më shumë, pasi nuk u është pasqyruar asnjë votë në tabelën zyrtare të rezultatit të zgjedhjeve. Të gjitha votat e tyre i kanë kaluar Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Republikane. Kështu, LSI-ja nga 14 vota që ka marrë realisht në tabelë i janë dhënë 36, ndërkohë që PR-së nga 2 vota i janë dhënë 15 vota. Një fakt ky, që përveç fenomeneve të tjera të manipulimit tregon qartë se ky veprim është bërë me pëlqimin e komisionerëve të dy partive të mëdha, të cilat kishin të drejtë të emëronin dhe numëruesit.

Rivendosja e së drejtës, rezultati nuk ndryshon

Pavarësisht shkeljeve të rënda të konstatuara, hetimi i prokurorisë nuk mund të rivendosë të drejtën e subjekteve politike që gjatë rinumërimit të votave pas hapjes së kutisë së votimit kanë rezultuar të dëmtuara. Kjo për shkak se ligji zgjedhor nuk njeh mundësinë për të rivendosur të drejtën e cenuar subjekteve zgjedhore në rast se procesi zgjedhor konsiderohet i mbyllur nga KQZ-ja. Kështu, pavarësisht manipulimit apo falsifikimit të rezultatit të konstatuar nga Prokuroria, hetimi i saj mund të sjellë vetëm penalizimin e komisionerëve apo numëruesve, të cilët kanë pasur përgjegjësi direkte për këtë çështje, por ai nuk mund të sjellë një rishpërndarje të mandateve për Këshillin e Komunës Frashër. Pavarësisht rëndësisë që mund të ketë rasti konkret, pra këshilli i komunës Frashër, kjo është një praktikë që zbatohet në të gjitha rastet e tjera, edhe kur bëhet fjalë për njësi të mëdha. Përveç komunës Frashër, prokuroria ka sekuestruar edhe një numër tjetër të konsiderueshëm kutish votimi për një sërë njësish vendore, të cilat janë hapur prej saj dhe që kanë rezultuar gjithashtu me shkelje të mëdha.

Tabela e hetimit të prokurorisë

Nga numërimi i mëtejshëm i votave të vlefshme të ndodhura në këtë kuti, rezultoi se ato ishin të shpërndara si më poshtë:

Shpërndarja e votave pas hapjes së kutisë

1. Partia Social Demokrate PSD 6 vota

2. Partia Aleanca Demokratike AD 14 vota

3. Bashkimi Liberal Demokrat BLD 3 vota

4. Lëvizja Socialiste për Integrim LSI 14 vota

5. Partia Balli Kombëtar PBK 4 vota

6. Partia Demokratike PD 1 votë

7. Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet 8vota

8. Partia Personat me Aftësi të Kufizuara 2 vota

9. Partia Republikane PR 2 vota

Gjithsej 54 vota.

Votat për secilën parti sipas KQZ

1 2 3 4 5 6

Subjekti Koalicioni/ QV 4157 4158 4159 4162 4163 4164

PARTIA DEMOKRACIA SOCIALE Aleanca për të Ardhmen 0 0 9 2 1 0

PARTIA DEMOKRISTIANE E SHQIPËRIS Aleanca për të Ardhmen 0 0 10 1 0 0

PARTIA E PUNES E SHQIPËRISE E RIORGANIZUAR Aleanca për të Ardhmen 0 0 17 0 0 0

PARTIA SOCIALDEMOKRATE Aleanca për të Ardhmen 5 0 2 6 0 0

PARTIA SOCIALISTE E SHQIPËRISE Aleanca për të Ardhmen 0 1 0 2 7 0

PARTIA SOCIALISTE E VERTETE 91 Aleanca për të Ardhmen 0 0 14 0 0 0

ALEANCA DEMOKRATIKE Aleanca për Qytetarin 0 2 1 2 0 3

BASHKIMI LIBERAL DEMOKRAT Aleanca për Qytetarin 0 0 0 1 16 0

LEVIZJA SOCIALISTE PËR INTEGRIM Aleanca për Qytetarin 36 0 0 0 0 0

PARTIA AGRARE AMBJENTALISTE E SHQIPËRISE Aleanca për Qytetarin 0 0 0 3 0 10

PARTIA BALLI KOMBETAR Aleanca për Qytetarin 0 0 11 2 0 0

PARTIA BALLI KOMBETAR DEMOKRAT Aleanca për Qytetarin 0 22 0 0 1 0

PARTIA DEMOKRATIKE Aleanca për Qytetarin 0 0 0 19 1 0

PARTIA DREJTESI INTEGRIM DHE UNITET Aleanca për Qytetarin 0 0 3 4 0 2

PARTIA LEVIZJA E LEGALITETIT Aleanca për Qytetarin 0 23 2 0 0 0

PARTIA PËRSONAT ME AFTESI TE KUFIZUARA Aleanca për Qytetarin 0 0 1 9 0 0

PARTIA REPUBLIKANE SHQIPTARE Aleanca për Qytetarin 15 6 9 1 0 0

LEVIZJA PËR ZHVILLIM KOMBETAR Jashtë Koalicionit 0 10 0 1 0 0

PARTIA BASHKIMI PËR TE DREJTAT E NJERIUT Jashtë Koalicionit 0 0 0 0 0 19

PARTIA KOMUNISTE E SHQIPËRISE Jashtë Koalicionit 0 0 0 0 6 13

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›