Europol shkatërron rrjetin e “call center-ave” mashtrues në Shqipëri dhe Evropë, 10 të arrestuar dhe gati 900 mijë euro të sekuestruara

TIRANË, 29 prill /ATSH/- Një rrjet kriminal ndërkombëtar i përfshirë në mashtrime të sofistikuara online, është shkatërruar pas një hetimi të përbashkët mes autoriteteve austriake dhe shqiptare, me mbështetjen e Europol dhe Eurojust.
Operacioni ka çuar në arrestimin e 10 personave, kontrollin e disa ambienteve në Tiranë dhe sekuestrimin e rreth 891,735 euro në para të gatshme, si dhe një sasi të madhe pajisjesh teknologjike.
Mashtrime me investime të rreme
Hetimet tregojnë se rrjeti operonte përmes “call center-ave” të organizuar në mënyrë profesionale në Tiranë, të cilët paraqiteshin si platforma të ligjshme investimesh online.
Viktimat i joshnin përmes reklamave në rrjete sociale dhe më pas kontaktoheshin nga “këshilltarë investimesh” të rremë.
Këta operatorë përdornin presion psikologjik dhe softuerë për qasje në distancë, duke marrë kontrollin e pajisjeve të viktimave dhe duke i bindur të transferonin shuma të mëdha parash.
Fondet nuk investoheshin, por kanalizoheshin në skema të pastrimit të parave.
Strukturë kriminale
Rrjeti përbëhej nga rreth 450 punonjës, i organizuar në departamente të ndryshme si shitje, menaxhim, financë dhe IT.
Punonjësit merrnin paga mujore dhe komisione, ndërsa struktura drejtohej në mënyrë hierarkike me liderë ekipesh dhe menaxherë.
Viktimat, të shpërndara në vende si Gjermania, Italia, Greqia, Spanja, Kanadaja dhe Britania e Madhe, kanë pësuar humbje që vlerësohen në mbi 50 milionë euro.
Hetim ndërkombëtar
Hetimi nisi nga autoritetet austriake në vitin 2023 dhe u zgjerua me bashkëpunimin e Shqipërisë përmes Europol-it dhe Eurojust-it.
Operacioni përfundimtar u zhvillua më 17 prill 2026, duke çuar në shkatërrimin e disa “call center-ave” dhe sekuestrimin e qindra pajisjeve elektronike.
Autoritetet theksojnë se analiza e të dhënave të sekuestruara pritet të zbulojë më tej rrjetin ndërkombëtar të kësaj skeme mashtruese. //a.i/