E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eurozona dhe FMN, 45 miliard euro për Greqinë


Hartohet plani i shpëtimit për Greqinë, vend i zhytur në borxhe. Ky plan u hartua për të qenë gati në rastin e falimentimit të shtetit. Vendet e Eurozonës janë të gatshëm ta ndihmojnë Greqinë, vitin e parë me deri 30 miliardë Euro, deklaroi shefi i vendeve të Eurogrupit, Jean Claude Juncker në Bruksel. Fondi Monetar Ndërkombëtar do ta bashkëfinancojë programin. Për një kredi me afat rreth trevjeçar, Greqia duhet të paguajë një normë interesi prej rreth pesë përqindësh, deklaroi Komisioneri i Ekonomisë të Bashkimit Europian, Oli Rehn. Vendimet u morën në një konferencë videotelefonike të ministrave të financës të Eurozonës me Komisionin Euvropian dhe Bankën Qendrore Europiane. Në këtë mënyrë, Greqia me borxhe të larta mund të përfitojë kredi brenda një kohe shumë të shkurtër, edhe kur financimi në tregun ndërkombëtar të kapitalit të mos jetë më i mundur. Mediat saktësojnë se më në fund u arrit marrëveshja për akordimin e një shumë përafërsisht prej 45 miliard eurosh për Greqinë për të tejkaluar krizën e thellë financiare që e ka përfshirë vendin fqinj. Kështu pas mbledhjes së tyre, Ministrat e Financave të 16 vendeve të monedhës së përbashkët vendosën një shumë prej 30 miliard eurosh, dhe dhanë aprovimin e tyre për plotësimin e pjesës tjetër të parave me anë të Fondit Monetar Ndërkombëtar i cili në këtë rast ka ofruar një shumë prej 15 miliard eurosh. Kjo marëveshje duket se i ka ardhur për shtat Athinës zyrtare. Ministri i Financave helene Jorgo Papakonstantinu deklaroi se vendimi është një hap i rëndësishëm si dhe njohu homologët e tij mbi përpjekjet e Greqisë për normalizimin e situatës financiare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›