E Diel, 1 Nëntor 2026

Eurozona, i jep ekonomisë greke "vaksinën" 110 miliardë euroshe



Liderët e Eurozonës kanë vendosur ditën e premte në unanimitet që të aktivizojnë shumën e majme të 110 miliardë dollarëve, që do të përdoret për të stabilizuar ekonominë greke. Gjithashtu liderët pohuan se do të ndërmarrin çdo iniciativë për të mbrojtur tregun europian nga çdo spekullim dhe mashtrim financiar siç ka ndodhur në të shkuarën.
"Të gjithë liderët e Eurozonës janë të ndërgjegjshëm për rëndësinë e kësaj situate. Por ne të gjithë do ta përballojmë këtë situatë të vështirë së bashku."- pohoi pas takimit presidenti i Këshillit të Europës, Herman van Rompuy.
"Ne jemi të vendosur që ta tejkalojmë këtë situatë të pakëndshme që ka përfshirë ekonominë greke dhe të gjithë financat e Europës. Ne do të bëjmë të pamundurën që të mbrojmë vlerat e solidaritetit tonë, si edhe financat tona mos të shpërdorohen siç ka ndodhur në të shkuarën,"- u shpreh presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso. Presidenti i Këshillit të Europës, Van Roumpey, gjithashtu pohoi se vendet e Eurozonës do të krijojnë shumë shpejt disa korniza të qarta ligjore për të përcaktuar qartë lëvizjen e kapitaleve të mëdha financiare si edhe mbrojtjen e tyre nga spekullimet. Ndërsat liderët kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez Nicola Sarkozi pohuan se do të ndërveprojnë së bashku për të zgjidhur problemin e sistemit ekonomik europian. Lideri më i gëzuar nga vendimi unanim i Eurozonës, ka qenë Jorgo Papandreu. Kryeministri grek është shprehur shumë i kënaqur për faktin se BE dhe FMN-ja gjetën instrumentat e duhur për të ndihmuar shtetin helen në mënyrë që të tejkalojë gjendjen më të vështirë financiare që nga koha e Luftës së Dytë Botërore.
"Samiti i sotshëm shprehu qartazi dëshirën e vendeve të Eurozonës për të ndihmuar Greqinë e cila po kalon çaste shumë të vështira,"- pohoi kryeministri grek, Jorgo Papandreu. Pavarsisht firmosjes së lëshimit të shumës së majme për rikuperimin e ekonomisë greke, sërish ka plot hije dyshimi se ekonomia e vendit ballkanik mund të ketë pësuar disa dëme të pariparueshme. Pas këtij takimi, presidenti i SHBA-së, Barak Obama ka telefonuar kancelaren gjermane, duke i pohuar asaj mbështetjen e tij për ndihmën ndaj shtetit grek.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›